Perëndimi nuk do pajtohet me kërkesën e Rusisë për të paguar gazin në rubla, i tha presidenti francez Emmanuel Macron homologut të tij rus, Vladimir Putin, sipas Reuters.
Macron i tha Putinit se ishte e pamundur që klientët perëndimorë të paguanin gazin në monedhën ruse, raportoi agjencia e lajmeve të martën, duke cituar një zyrtar të Elysee-së.
“Franca është kundër pagesës në rubla.” – tha zyrtari, siç citohet nga media.
Në zbardhjen e bisedës telefonike mes dy liderëve, Kremlini konfirmoi se propozimi i Moskës për pagesat në rubla ishte diskutuar, por nuk dha hollësi mbi qëndrimin e të dyja palëve.
Putini urdhëroi më herët Bankën Qendrore të Rusisë dhe gjigantin energjetik Gazprom që të përgatisin propozime për të bërë pagesat e gazit nga vendet ‘jomiqësore’ në rubla. Plani u kundërshtua nga BE dhe G7 më herët të martën.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të martën se Rusia nuk do furnizojë gaz natyror në tregun evropian falas, pasi monedhat euro e dollar nuk do të pranohen nga 31 marsi.
Lista e ‘shteteve jomiqësore’ e Rusisë, e cila fillimisht përfshinte vetëm dy vende – SHBA dhe Republikën Çeke – u zgjerua ndjeshëm në mars pas sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Moskës nga Perëndimi. Tani ai përfshin të gjithë anëtarët e BE-së, Ukrainën, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Japoninë dhe të tjerë kombe që kanë dënuar ofensivën e Rusisë në Ukrainë.
Të gjitha këto vende tani janë subjekt i masave të ndryshme hakmarrëse, kufizimeve dhe kërkesave specifike nga Rusia. Një nismë tjetër hakmarrëse bëri që Ministria e Financave të kërkojë që kompanitë ruse që duan të punojnë me firmat nga vendet në listë, të marrin lejen e qeverisë së pari.
Të hënën, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov njoftoi se qytetarët e ‘shteteve jomiqësore’ së shpejti do goditeshin nga sanksionet e vizave që kufizojnë hyrjen në vend.