Vendosni fjalën kyçe....

Nikolla i përgjigjet Alibeajt: Bllako dha dorëheqjen dhe nuk i takon më Kuvendit të shqyrtojë mandatin


Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i është përgjigjur Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike lidhur me anulimin e mbledhjes së Komisionit të Shqyrtimit të Mandateve pas kërkesës për arrestim nga SPAK të Alqi Bllakos.

Nikolla përmend nenin71 të Gjykatës Kushtetuese dhe thotë se përderisa Ballko hoqi dorë nga mandati atëherë kërkesa e SPAK nuk është më objekt i shqyrtimit nga Kuvendi.

“Z. Alqi Bllako për të cilin është kërkuar dhënia e autorizimit për arrestim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur në Kuvend deklaratën se me dijeni dhe vullnet të plotë dorëzon mandatin e deputetit nëpërmjet heqjes dorës nga ky mandat. Referuar nenit 71, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës, mandati i deputetit z.Alqi Bllako, mbaron për arsye të heqjes dorë nga mandati.

Në këto kushte, sipas rregullores së Kuvendit, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është më objekt i shqyrtimit nga Kuvendi.
Sa më sipër, është anuluar mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, njoftuar për datën 30.03.2022, ora 18:00.

Çështja për të cilën ju kërkoni mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk ekziston më. Për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”-thuhet në përgjigjen e Kuvendit.