Vendosni fjalën kyçe....

Publikohen rezultatet e censusit në Maqedoninë e Veriut, mësohet sa përqind e popullsisë janë shqiptarë


 

Enti Shtetëror për Statistikat në Maqedoninë e Veriut ka publikuar këtë të mërkurë rezultatet e regjistrimit të popullsisë për vitin 2021.

Mes tjerash është shpallur edhe popullsia e kryeqytetit, Shkupit, ku bie në sy rritja e numrit të shqiptarëve. Kështu në Shkup janë 22.8 % shqiptarë, me një rritje nga regjistrimi i fundit i vitit 2002 ku përqindja ishte 20.04%.

Ndërkohë në gjithë Republikën e Maqedonisë së Veriut, janë regjistruar si maqedonas 54.21 e popullsisë, ndërsa shqiptarë janë 29.52 %.

Lidhur me këtë, ka reaguar kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka përgëzuar institucionet pas publikimit të rezultatit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni të Veriut.

“Përgëzoj të gjitha institucionet që ishin të përfshira dhe ndihmuan Regjistrimin si proces që filloi në muajin Mars të vitit të kaluar me diasporën e vendit e që përfundoi në Shtator me regjistrimin e popullatës në vend, proces dhe sfidë aspak e lehtë por që ia dolëm ta përfundojmë me sukses.”- është shprehur Ahmeti.

Sipas tij ky regjistrim ka mundësuar që të ketë një pasqyrë më të qartë sa i përket numrit të banorëve.

“Shqiptarët janë 29.5% në popullsinë e përgjithshme dhe 24.3% në popullsinë rezidente, ndërsa në qytetin e Shkupit 22.8% (nga 20.04% në 2002).”- ka shtuar ai.