Gjatë takimit që pati paraditen e sotme me importues, eksportues dhe përfaqësues të zinxhirit të furnizimit me mallrat e shportës, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar kompanitë që të deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre. Në të kundërt sipas tij do përballen me Prokurorinë.
Rama deklaroi se njësia e ngritur ka nisur punën për bërë verifikimet.
“Këtu është më shtrenjtë se në çdo vend të botës do ta dëgjojmë gjithmonë. Jo vetëm në kohë lufte por edhe në kohë paqeje. Këtu të huajt kur vijnë thonë se çmimet janë lirë.
Këtë dilemë e kemi zgjidhur që ’90 ku buka u rrit 10 herë dhe rrogat nuk u rritën se ndryshoi sistemi brenda natës. Dhe meqë ra fjala për rrogat.
Ne e dimë shumë mirë që pagat në Shqipëri në sektorin privat janë një pjesë në dritë dhe një pjesë janë e pa dukshme, këtë e dimë shumë mirë ne. Ju e dini më mirë se unë.
Dhe vetëm nga kjo ne kemi një rritje mesatare të pagës 90 mijë lekë. Njësia që kemi ngritur ka hyrë në hetime dhe përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje të gjithëve që me deklarimin tjetër të pagave, ta vëmë pagën sepse do të godasim pas asnjë tolerancë. Nëse del keq me pagat nga hetimi tatimor pastaj do shkojnë në Prokurori. Ne nuk duam që kompanitë të shkojnë në Prokurori por duam që kompanitë të japin kontribut në ekonomi.”- tha Rama.