“Duke kuptuar më së miri, rëndësinë e procesit të rivlerësimit, si një ndër momentet më të rëndësishme të Reformës së Drejtësi, kuptoj dhe vlerësoj çdo institucion shtetëror të ngarkuar nga Kushtetuta dhe Ligji për kryerjen e një procesi të tillë”.
Kështu e nis mbrojtjen e saj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit prokurorja Elisabeta Imeraj e cila përballet me shkallën e dytë të vettingut pas ankimimit të Komisionerit Publik.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit nisi sot shqyrtimin e ankimimit të Komisionerit publik i cili kërkon shkarkimin nga detyra të drejtueses së Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj. Ishte ONM e cila rekomandoi pranë Komisionierit Publik që të ankimonte vendimin e KPK, që më herët kishte konfirmuar në detyrë ish-prokuroren e Krimeve të Rënda. Atë kohë pati një debat të ashpër mes vëzhguesit ndërkombëtar Jacob dhe Imeraj, për sa kohë vëzhguesi i ONM-së ngrit pretendime se subjekti i rivlerësimit mund të kishte përgjuar një tjetër koleg të tij. Zonja Imeraj i kundërshtoi këto pretendime të vëzhguesit ndërkombëtar.
Ditën e sotme, në këtë senacë Komisioneri Publik Florian Ballhysa i qëndroi kërkesës për shkarkimin e znj. Imeraj, por kjo e fundit pretendoi në seancë se në procesin ndaj saj po përdoren kallëzime nga persona të cilët janë me emra të rremë.
Në KPA është ankuar ndaj znj. Imeraj, shtetasi Rrahim Shehu, i cili sipas pretendimeve të prokurores nuk ekziston fare si person, duke ngritur pretendime për fiktivitet.
“Në aktet që ju keni përpara, rezulton se vendimmarrja e KPK se për procesin tim të rivlerësimit me konkluzionin Konfirmim në detyre, është bërë më datë 25.03.2021.
Pas njohjes me denoncimet shtesë nga Kolegji dhe përgjigjet e dhëna nga Prokuroria e Posaçme SPAK, rezulton se, në datën kur ishte caktuar shpallja e vendimit, vëzhguesit ndërkombëtar i depozitohet një denoncim me e-mail ndaj meje, me pretendime absurde dhe te paqena, dhe po në këtë datë ky denoncim anonim përmes e-mailit (nga një person që nuk ekziston), i përcillet për verifikim SPAK. Nuk paraqes dhe nuk shfaq asnjë pretendim në drejtim të verifikimit të çdo të dhënë apo denoncimi, por cfare ka ndodhur qe vendimarrja e dates 25.03.2021 te shtyhej per shpallje deri me date 01.04.2021.
nuk mund të kuptohen ndryshe përveçse një tendencë për të ndikuar në mënyrë jo të rregullt dhe ligjore në procesin tim të rivlerësimit me qellimin e vetem shkarkimin tim nga detyra.
Po kush e deshiron shkarkimin tim nga detyra, bazuar ne denoncimin anonim te Valentino Ymerit, denoncimin anonim te Rrahim Shehut apo denoncimin e E.F-së?
Normalisht, unë ushtroj detyrën dhe funksionin e prokurorit dhe si i tille mundem te kem cenuar dhe interesa politike, interesa ekonomike apo dhe interesa kriminale.
Ndaj përgjigja është e saktë, pas denoncimeve anonime mundet të fshihen vetëm elemente dashakeqës që kanë pse jo promotorin kryesor tek Krimi i Organizuar.
Por a mundet dhe duhet te shkarkohet një prokuror mbi bazën e një kartele të falsifikuar, mbi bazën e një denoncimi të paqenë, dhe anonim, mbi bazën e pretendimeve që nuk bazohen në prova.
Natyrisht që jo, sepse në radhë të parë, Ju vetë nuk mundet të siguroni besimin e publikut sipas këtij mekanizmi.”– thuhet në mbrojtjen e saj.
Në seancë, gjatë mbrojtjes së saj Imeraj ka zbuluar se përfaqësuesi i ONM Theo Jacobs disa javë më parë ka referuar në SPAK e-mail-in e një zonje e cila i shkruante Theo Jacobsit mbi disa rryshfete të supozuara të prokurores Imeraj. E.F është denoncuesja ndaj subjektit, por znj. Imeraj pretendoi në seancë, ku kjo grua ka depozituar në prokurorinë e Tiranës dhjetëra kallëzime, ku kjo shtetase ka kallëzuar presidentin e kinës për sabotazh, ka denoncuar Joe Biden, ka denoncuar liderët shqiptarë dhe drejtues të lartë, madje dhe Mark Zuckerberg duke pretenduar se gjithë lufta bëhet për ta bërë atë tullace. Znj. Imeraj pretendon se kjo grua po përdoret ndaj saj.
Gruaja në fjalë është një personazh i njohur për policinë, prokurorinë dhe gjykatat pasi denoncimet e saj nuk rreshtin, por të gjithë janë të qartë se bëhet fjalë për një person të destabilizuar mendërisht.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Balkanweb