Një zyrtar amerikan i sigurisë kombëtare, i cili luajti një rol kryesor në hartimin e masave ekonomike të SHBA-së kundër Rusisë lidhur me sulmin e saj ushtarak ndaj Ukrainës, do udhëtojë në Indi për të diskutuar sjelljen e Nju Delhit, njoftoi Shtëpia e Bardhë të martën.
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Emily Horne, shpjegoi gjithashtu se të dyja palët do të rishikonin lidhjet e tyre ekonomike pasi Uashingtoni u bën presion aleatëve për të ndërmarrë veprime më të ashpra kundër Moskës.
Zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare për Ekonominë Ndërkombëtare, Daleep Singh, do të takohet këtë javë me zyrtarë për të ‘përparuar një sërë çështjesh në marrëdhëniet ekonomike SHBA-Indi dhe partneritetin strategjik’, nënvizoi Horne.
“Singh do të këshillohet ngushtë me homologët për pasojat e luftës së pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe zbutjen e ndikimit të saj në ekonominë globale.” – vijoi ajo, duke shtuar se këshilltari do të fliste gjithashtu për ‘zhvillimin e një Kornizë Ekonomike Indo-Paqësore’.
Ish-zyrtari i ‘Goldman Sachs’ dhe një veteran i dy administratave të mëparshme, Singh është quajtur nga shumë media si ‘arkitekti’ dhe ‘cari’ i sanksioneve anti-ruse.
Takimet në Nju Delhi vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe disa nga aleatët e saj kryesorë e shtyjnë Indinë t’i bashkohet fushatës së sanksioneve ndëshkuese kundër Moskës. Deri më tani, ajo ka kundërshtuar ta bëjë këtë gjë, madje ka kundërshtuar të votojë për të dënuar sulmin në Kombet e Bashkuara.
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss do të vizitojë gjithashtu vendin të enjten, ku ajo planifikon të diskutojë ‘çështje dypalëshe, rajonale dhe globale me interes të ndërsjellë’ me Ministrin e Jashtëm Indian Subrahmanyam Jaishankar. Ajo ka bërë thirrje më parë për një ‘marrëdhënie më të ngushtë ekonomike dhe mbrojtjeje’ me Indinë, për të cilën ajo pretendoi se ka ‘njëfarë niveli të varësisë nga Rusia’.
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov gjithashtu do të takohet me homologun e tij indian më vonë këtë muaj pas një ndalese dy-ditore në Kinë, sipas Hindustan Times. Ashtu si India, Pekini gjithashtu ka mbajtur një qëndrim asnjanës ndaj luftës në Ukrainë, duke kundërshtuar të dënojë Rusinë, ndërsa u bëri thirrje të dyja palëve të ndalojnë luftën.