Vendosni fjalën kyçe....

Tre inceneratorët kanë marrë pagesa 86 milionë euro nga buxheti deri në fund të 2021


Pagesat progresive për 3 kontratat koncensionare të inceneratorëve në fund të vitit 2021 arritën në 10.6 miliardë lekë ose 86 milionë euro.

Pagesat u dhanë përgjatë viteve 2015 -2021 që kur nisi zbatimi i kontratës së parë koncensionare në Bashkinë e Elbasanit, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.

Projektet, dy prej të cilave të cilat janë në hetim nga SPAK për shpërdorim të parave publike nëpërmjet disa formave të abuzimit renditen në top listën e investimeve nga Ministria e Financave në këto vitet e fundit.

Sipas të dhënave zyrtare nga lista e investimeve publike vjetore të akseueshme edhe në internet, inceneratori i Elbasanit i cili tashmë është në sekuestro ka marrë financime nga buxheti i shtetit në vlerën e 3 miliardë lekëve rreth 24 milionë euro. Kjo shumë u dha përgjatë viteve 2015-2021.

Pagesat progresive për inceneratorin e Fierit arritën deri në fund të vitit 2021 ne mbi 3.1 miliardë lekë ose 25.2 milionë euro ku vetëm për vitin e kaluar janë paguar 690 milionë lekë ose 5,6 milionë euro. Edhe pse investitorët në të tre inceneratorët janë të njëjtët dhe skema e abuzimit me fondet ishte e ngjashme, sekuestro mbi inceneratorin e Fierit u bë në mometin që pagesat nga buxheti janë kryer.

Financimet me të mëdha i mori inceneratori i Tiranës. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se deri në fund të vitit 2021 janë paguar rreth 4.5 miliardë lekë ose 36 milionë euro.

Inceneratori i Elbasanit i vetmi që u vu në punë tregoi efektivitet të ulët. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se, prefektura e Elbasanit gjeneroi mbi 92 mijë tonë mbetje gjatë vitit 2020, teksa 23,3 për qind e tyre nuk e menaxhuan, duke e renditur në tre qarqet me nivelin më të lartë të mbetjeve të pamenaxhuara.

Të dhënat të tjera më të hollësishme tregojnë se, gjatë vitit 2020 inceneratori i Elbasanit përpunoi vetëm 11 për qind të mbetjeve të gjeneruara në këtë qark (10 mijë tonë). Më tej 55 % e mbetjeve në qarkun e Elbasanit janë depozituar në landfille dhe 14 % u ricikluan.

Sakaq inceneratori i Fierit është ndërtuar, por nuk është vënë asnjë ditë në punë, ndërsa i Tiarnës është në fazë ndërtimi, ndonëse në tejkalim të afateve.

Prokuroria e Posaçme kunër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka dhënë sqarime të mëtejshme lidhur me procedurat e hetimit për inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit.

Nga hetimi janë gjetur shkelje të shumta, që fillojnë me procedurat për dhënien e koncesionet e më pas me falsifikime dokumentesh të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dhënien e pagesave për punime që nuk janë kryer.

Janë përdorur skema fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, SPAK ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal nr.187 viti 2020, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, parashikuara nga nenet 248, 245, 260 dhe neni 287, germat (a) dhe (b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal.

Inceneratori i Tiranës, më i madh, është i vetmi për të cilin deri tani nuk është hapur hetim. Më herët, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) gjeti se një sërë problematikash me këtë koncesion, që nga mungesat dhe paqartësitë në lidhje me propozimin paraprak të projektit, te mosllogaritja e saktë e kostove për Bashkinë e Tiranës deri te keqorientimi i politikave për reduktimin e mbetjeve, duke mos qenë në linjë me objektivat kombëtare dhe europianë, pasi është kaluar direkt te incenerimi, kur duhet t’i kushtohej rëndësi ndarjes në burim dhe riciklimit.

Ndërkohë KLSH ka konstatuar se projekti ka rezultuar që në fillim i papërballueshëm për buxhetin e shtetit, ndërsa bashkisë Tiranë nga viti 2018 i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve. Bashkia Tiranë ka paguar për periudhën 2018-2020 rreth 3.2 miliardë lekë (26.5 milionë euro) shtesë, krahas kostos së pastrimi prej 3.9 miliardë lekësh.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor