Vijon prej më shumë se dy orësh seanca në Kolegji e Posaçëm të Apelimit ndaj drejtueses së prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.
Ajo ka pohuar se ka pasur përpjekje për të hedhur baltë ndaj saj gjatë procesit të vetingut duke përmendur vendimin për t’u vlerësuar vetëm mbi kriterin e pasurisë si dhe emailet anonime që po u dërgohen anëtarëve të KPK-së e ILD-së.
“Më 16 tetor mbyllet procesi i vlerësimit. Pas paraqitjes së një kërkese nga ana ime, për përjashtimin e një anëtari të trupit gjykues, për papajtueshmëri dhe pas mosmarrjes së përgjigjes nga komisioni, është paraqitur një kërkesë përjashtimi. Në asnjë moment vëzhguesi ndërkombëtar nuk i përmbahet motivit për pretendimet mbi një anëtare të komisionit. Në fakt, nuk mundesha të mendoja se një situatë e vitit 1999 mund të kishte pasoja mbi vlerësimin tim. Nëse Bungo nuk mbante mend asnjë rrethanë nga ky konflikt, si mundet, nëse vetë vëzhguesi ndërkombëtar e pranon këtë gjetje siç i është vënë përpara,vetë ky i fundit duhej t’i drejtohej kësaj zonje për të mos u përfshirë në këtë proces. Nuk mund të them sot para jush se Bungo ka bërë këtë apo atë, por të paktën duhet të kem formatin e pastër që vlerësimi ndaj meje të fillonte pa ankesa qoftë edhe personale.” – ka thënë Imeraj.
Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës ka thënë më tej se vlerësimi i çështjes së saj ka vijuar vetëm mbi kriterin e pasurisë duke theksuar se ka pasur një lloj paragjykimi.
“Hetimi i çështjes time ka vijuar vetëm në një kriter, atë të pasurisë. Është e dukshme se ka patur një lloj paragjykimi. 6 shkurt 2020, trupa gjykuese vendos riçeljen e hetimit administrativ me tre kritere. Të mbyllet hetimi përsëri me një kriter thotë më pas vëzhguesi ndërkombëtar, që për mua ka një vlerësim dashakeqas. Në lidhje me vëzhguesin që Rreme Shehu tha se e kam përgjuar, shantazhuar etj, ka qenë i ngarkuar, i keqinformuar, jam e bindur, më pëlqen ta besoj kështu. Në këtë situatë kur bëri vlerësimin të mbyllet me një kriter, kur ishte vendosur nga trupa me 3 kritere, pse nuk e referoi arsyen e pretendimeve për përgjime?! Ai vëzhgues u largua disa kohë më pas edhe nga Shqipëria. Unë përsëri nuk kuptoj arsyen se çfarë e shtyn një vëzhgues, që 7 muaj pas largimit nga Shqipëria, të dërgojë një email nderi, jo vetëm ai por edhe z. Jacobs. Kam qenë kureshtare të gjejmë kush është personi që ka kërkuar të bëhet hetim i plotë, kush ka përgjuar, pse e ka përgjuar dhe kë ka përgjuar.” – shtoi Imeraj.
Ajo theksoi emailet ndaj saj janë të sajuara dhe se Rrahim Shehu, Valentino Ymeri e një qytetare tjetër që kanë dërguar këto emaile janë i njëjti person dhe se emaili ndaj saj është dërguar para daljes së lajmit për konfirmimin e saj në detyrë, shkruan Fax Web.
“Konfirmimi në detyrë është një vendimmarje pro meje, por unë shoh, që në të gjitha momentet kohore për vendimmarje të posaçme në raport me procesin e vlerësimit, ka ose një kallëzim, ose një email të sajuar ndaj meje. Më 25 mars 2021, pas seancës dëgjimore, Valentino Ymeri me një email i dërgon OMN që unë kam punësuar në prokurori 3 familjarë. Ka një procesverbal në KPK. I dërgon një email të dytë ku zgjerohet me pretendimet për veprime të kryera nga unë, pak minuta para shpalljes së rikonfirmimit tim në detyrë. Ky email ka qenë një ngarkesë karshi KPK, të cilët i quan deri edhe eunuk. Ju drejtohet me fjalë fyese, që nuk përdoren për një denoncues të saktë e të sinqertë. Ai thekson, se këta anëtar duhen ndjekur penalisht nga SPAK. Nuk mund të kishte dijeni askush që në datën 26 mars ishte marrë vendimi për konfirmimin tim në detyrë, sepse nuk ishte shpallur ende. Si mundet, nuk ka asnjë shtetas në Shqipëri të regjistruar me emrin Valentino Ymeri, si mundet ky person dhe nga e dinte ai se kjo trupë do më konfirmonte mua në detyrë. Por duhet të jetë shterrues që ky email të mos shkaktojë pasoja në procesin e rivlerësimit. Ky email është dërguar në SPAK dhe ILD, në këtë të fundit me pretendinet e emërimit të familjarëve të anëtarëve të komisionit të vlerësimit.” – ka thënë Imeraj.
Më herët Hashtag.al zbuloi skandalin tronditës lidhur me seancën e vlerësimit të Imeraj ku implikohet vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs.
Në seancë u zbulua se Theo Jacobs disa javë më parë kishte referuar në SPAK e-mail-in e një zonje e cila i shkruante Theo Jacobsit mbi disa rryshfete të supozuara të prokurores Imeraj.
Personi që kishte dërguar e-mailin është një personazh shumë i njohur për organet ligjzbatuese shqiptare pasi në 3 vitet e fundit ka bërë dhjetëra kallëzime, për gjithë zinxhirin drejtues të shtetit shqiptar, madje dhe për komisionerët e vettingut, ambasadoren amerikane, artistë, këngëtarë, Mark Zuckebergun madje ajo kishte a denoncuar dhe presidentin e Kinës Xi Jiping, duke e akuzuar atë si personin që e kishte helmuar me koronavirus.
Në listën e denoncimeve të personazhit që ka dërguar e-mailin ka pafund emra, për të cilët ajo kishte kërkuar arrestimin e menjëhershëm, mes të cilëve është ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim dhe humoristi Bes Kallaku. Ironikisht në denoncimet e saj publike, personazhi në fjalë ka kërkuar dhe arrestimin e disa anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit apo të KPK-së.