Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Alqi Bllako arrestohet sot por më 8 mars shiti të gjitha bizneset, kemi të bëjmë me drejtësi me regji


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë deklaroi se arrestimi i Alqi Bllakos është drejtësi me regji.

Sipas Kryemadhit, Bllako shiti bizneset e tij më 8 mars duke hedhur dyshime se kishte dijeni që mund të arrestohej.

“Sot, arrestohet Alqi Bllako me 8 mars 2022 ka shitur të gjitha bizneset e tij që ka pas në emër. Kur flasim për drejtësi, jo për drejtësi me regji. Duhet të flasim për një drejtësi të vërtetë. Duhet të flasim për drejtësinë që përmendi kolegu Këlliçi, për Ardit Gjokljan.

Duhet të flasim dhe për viktimat e 21 janarit, kush i bëri, si i bëri dhe çfarë ndodhi dhe duhet zbardhur 21 janari një herë e përgjithmonë. Duhet të flasim për viktimat e Gërdecit, duhet të flasim për të gjitha viktimat që ka bërë mosgjykimi drejtësisë në shoqërinë shqiptare dhe që ka bërë pis klasën politike.  Sepse është shumë kollaj për të gjykuar njëri tjetrin por është shumë e shëmtuar kur kemi një drejtësi me regji.

Bëmë një reformë në drejtësi, ku ne sot kemi dy rrugë, o përballjen përballë drejtësisë të qeverisë që kam pas të cilët kanë krijuar një megaferë të jashtëzakonshme që është përtej 430 milionë eurove të inceneratorëve ose do të kemi jetëgjatësinë e kësaj qeverie dhe rrëzimin e reformës në drejtësi të cilën e kemi miratuar me 140 vota. Megjithatë, për t’u kthyer tek akti normative jam shumë dakord që duhen bërë amendime në buxhet është hipokrizi që të themi që nuk duhen, është hipokrizi që buxhetet nuk rishikohen, janë rishikuar, po rishikohen, do rishikohen përsëri. Sepse çfarë sjellë minuti nuk sjell sekondi, aq më shumë në këtë situatë që është sot Shqipëria dhe gjithë rajoni dhe më përtej se rajoni”, ka deklaruar Kryemadhi.