Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu duke ndjekur nga afër procesin e përzgjedhjes së specializimeve në mjekësi, ku u shpreh se tashmë për të shtatin vit radhazi, kemi krijuar qëndrueshmëri në këtë proces, pas një periudhe 4-vjeçare të mungesës së hapjes së specializimeve.
Më tej Manastirliu njoftoi se në vitin e ardhshëm akademik do shtohet numri i kuotave në mënyrë që të rritet numri i mjekëve të diplomuar.
“Përfundojnë në këtë vit ciklin e parë të kontratave, specializantët e parë të punësuar, pas rihapjes së specializimeve. Çfarë po ndodh në fakt në këto momente dhe që është edhe një proces që vërtet na bëhet shumë qejfi, është që një pjesë e tyre po qëndrojnë në spitalet rajonale. Një pjesë tjetër të cilët kanë përfunduar kontratat dhe obligimin për të qëndruar në spitalet e rretheve, janë duke u sistemuar në gjithë shërbimin shëndetësor publik. Bashkë me Universitetin e Mjekësisë, Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, ne kemi vendosur që të rrisim dhe numrin e kuotave të pranimit për studentët në Mjekësi dhe kemi synimin që duke filluar nga ky vit, viti akademik 2022-2023, ne të shtojmë me 100 deri në 150 kuotat e pranimit në Fakultetin e Mjekësisë”, tha Manastirliu