Deputeti i PD-së Agron Shehaj ka shkruar sot se inceneratori i Tiranë ka marrë 20 milionë euro në pagesa edhe pse nuk ekziston fare.
Në një shënim në faqen e tij në Facebook, Shehaj shkruan se inceneratori fantazmë i Tiranë është aferë korruptive njësoj me ato të Fierit e Elbasanit. Shehaj shkruan më tej se përfituesit e pagesave janë të njëjtët persona, Mërtiri e Zoto.
“Arrestimet e fundit të SPAK për aferën e inceneratorëve, jo vetëm që nuk e venë drejtësinë në vend, por më e rëndësishmja është se nuk e ndalin vjedhjen gjigante. Inceneratori fantazmë i Tiranës është një aferë korruptive njësoj si ai i Elbasanit dhe i Fierit. Është i njëjti ministër që firmosi koncesionin. Janë të njëjtët njerëz që kanë marrë koncesionin, Zoto dhe Mërtiri. Më e rëndësishmja, janë të njëjtat kompani që janë përdorur për të paguar ryshfete dhe vjedhur paratë e qytetarëve. Kompania në pronësi të Zotos, aktualisht nën sekuestro nga SPAK, ka marrë 20 milionë euro pagesa si nënkontraktor nga inceneratori i Tiranës. Gjithashtu, inceneratori fantazmë i Tiranës ka paguar 400 milionë lekë për kompaninë Pivot 04. Është kompania fiktive që SPAK e provoi se ishte përdorur për korrupsion në Fier dhe Elbasan. Kështu janë paguar dhe shumë kompani të tjera fantazmë për të çuar ryshfete tek zyrtarët.” – shkruan Shehaj.
Deputeti shton më tej se sipas vetë SPAK-ut, babai i ish-deputetit të PS-së Alqi Bllako, ka qenë i punësuar dhe ka marrë miliona lekë nga kompania që ka koncesionin e Tiranës dhe jo në Fier apo Elbasan.
Shehaj thekson se kjo nuk është drejtësi dhe se çdo ditë inceneratori fantazmë i Tiranës u merr qytetarëve shqiptarë 70 mijë euro.
“SPAK-u pranon në njoftimin zyrtar se babai i Alqi Bllakos ka qenë i punësuar fiktivisht dhe ka marrë pagesat korruptive nga kompania Integrated Energy, pra kompania që ka koncesionin e Tiranës. Jo në Fier apo Elbasan. Por pavarësisht gjithë këtyre fakteve të qarta dhe kokëforta, SPAK nuk guxon të sekuestrojë inceneratorin e Tiranës. Kjo është drejtësi me leje. Dhe kjo është të bekosh vjedhjen. Për çdo ditë që kalon, inceneratori fantazmë i Tiranës u merr qytetarëve shqiptarë 70 mijë euro. Pra 70 mijë euro vjedhje në ditë me bekimin e qeverisë dhe hezitimin e pakuptueshëm të SPAK për të vënë në sekuestro kompaninë.” – mbyll reagimin Shehaj.