Vendosni fjalën kyçe....

Braimllari pas arrestimit të Alqi Bllakos: Drejtësia me regji, Policisë iu deshën orë të negocionin mbylljen e pazarit


Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Endrit Braimllari ka dalë në një deklaratë për mediet, pas arrestimit të deputetit socialist Alqi Bllako.

Braimllari në një deklaratë për mediet ka ironizuar faktin që Policisë iu deshën mbi 12 orë për të arrestuar Bllakon, që sipas disa raportimeve ka qenë duke “negociuar kushtet e dorëzimit të tij”.

Braimllari shprehet se policia i arreston në mes të natës në banesë qytetarët e thjeshtë që protestojnë, por ndërkohë i duhen orë të tëra që të negociojë mbylljen e pazarit të dorëzimit “të një deputeti të korruptuar” dhe jo kryerjen e menjëhershme të arrestimit të tij.

“Përshëndetje! Të nderuar qytetarë, afera më e madhe e pluralizmit, ajo e inceneratorëve vazhdon të thellohet.

Edhe përpjekja më e fundit për të shpërqendruar vëmendjen është një përpjekje e dështuar, asnjë shqiptar nuk habitet më që Policia e Shtetit arreston në mes të natës në banesë qytetarët e thjeshtë që protestojnë, por ndërkohë i duhen orë të tëra që të negociojë mbylljen e pazarit të dorëzimit të një deputeti të korruptuar dhe jo kryerjen e menjëhershme të arrestimit të tij.

Asnjë tentativë e tillë nuk mund të heqë vëmendjen nga përgjegjësia e vërtetë e kësaj vjedhjeje kolosale. Edi Rama, Erion Veliaj, Engjëll Agaçi, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Armando Subashi. Çdo vonesë nga ana e SPAK-ut për vënien para përgjegjësisë penale të autorëve dhe ideatorëve të kësaj skeme, sa e rëndon pozitën e SPAK-ut dhe nuk zbardh të vërtetën përpara qytetarëve. Faktet tashmë janë të njohura për gjithë shqiptarët dhe fakte të tjera kanë dalë dhe do të dalin në ditët në vijim.”- u shpreh Braimllari.

Ai akuzon institucionet për një “drejtësi me regji” ndërsa akuzon SPAK-un se duke mos vepruar thellon skandalin, kur pronarët në arrati të inceneratorëve po vijojnë të paguhen me paratë e buxhetit të shtetit.

“Drejtësia me regji e cila prej më shumë se një viti që qëllimisht zvarrit dhe nuk vepron, ka bërë që inceneratori i Tiranës të vazhdojë dhe të paguhet me pagesa shumë milionëshe për llogari të pronarëve mafiozë, tashmë në arrati.

SPAK me mosveprim, në vend që të zbardhë të vërtetën, thellon më tej skandalin. Përgjegjësit shtetërorë dhe kompanitë e pastrimit të parave janë të gjithë të lirë, gjithashtu dhe pronarët e inceneratorëve në arrati vazhdojnë të paguhen me miliona nga qeveria e Rilindjes, ndërkohë që për shqiptarët nuk ka para për t’i kompensuar për çmimet e ushqimit dhe karburantit.

I kërkojmë SPAK-ut të lërë mënjanë drejtësinë me regji dhe të veprojë në mënyrë të menjëhershme mbi Edi Ramën, Erion Veliajn, dhe gjithë zyrtarët e tjerë të lartë për të zbardhur deri në fund aferën e vërtetë.”– përfundon fjalën e tij sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.