Çmimi i naftës vijon rënien. Një litër naftë sot tregtohet për 231 lekë nga 237 lekë që ishte më parë.
Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja për karburantet në vend.
Çmimi i benzinës është rritur me një lekë, shitet me 212 lekë nga 211 lekë. Ndërsa gazi është ulur me një lekë. Një litër gaz do të jetë 115 nga 116 lekë që u tregtuar dy ditët e fundit.
Operatorët pohojnë se çmimi mund të ulet edhe me 2-3 lekë për litër, duke reflektuar tendencën rënëse në bursat ndërkombëtare.
Në vend, nafta arriti deri në 260 lekë për litër në fillim të marsit, pasi u ngjit në 130 dollarë në bursat ndërkombëtare. Pas kQësaj rritjeje, Qeveria krijoi Bordin e Transparencës, i ngritur me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit. Bordi e uli fillimisht çmimin deri në 203 lekë për litër, pasi në bursa zbriti nën 100 dollarë për fuçi. Tashmë që nafta ka zbritur në 103 dollarë në bursa, në Shqipëri po tregtohet me rreth 230 lekë/litër.
Nafta në botë
Edhe çmimi i naftës në bursë është ulur. Një fuçi sot më 1 prill tregtohet për 103.78 dollarë, duke shënuar në rënie të lehtë në raport me një ditë më parë prej rreth 1 pikë për qind.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka urdhëruar lëshimin më të madh nga rezervat strategjike të naftës, në një përpjekje për të ulur kostot e larta të karburantit.
Lëshimi i deri në 180 milionë fuçi nafte gjatë 6 muajve është më i madhi që nga krijimi i rezervës në vitin 1974.
Çmimet e naftës ranë pas raportimeve për këtë lëvizje, e cila synon të lehtësojë krizën e furnizimeve të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Biden premtoi masa të mëtejshme për të rritur prodhimin amerikan, duke thënë se lëshimi do të “shërbente si një urë deri në fund të vitit kur prodhimi vendas të rritet”.
“Është koha të punojmë për pavarësi afatgjatë të energjisë në SHBA. Do të përdor çdo mjet në dispozicion për t’iu mbrojtur nga rritja e çmimeve të Putinit”.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al