Vendosni fjalën kyçe....

Manja për arrestimin e Bllakos: Ta lëmë drejtësinë e re të bëjë punën e saj


Ministri i drejtësisë Ulsi Manja ishte sot në Vlorë, ku prezantoi ndihmën ligjore falas për personat në nevojë.

Ai u pyet nga gazetarët lidhur me arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako, por ministri u përpoq t’i shmangej komenteve për kolegun e tij.

“PS, kjo maxhorancë, ishte kjo arsyeja që ne ndërmorëm një nga Reforma më të rëndësishme në këto 30 vite siç është Reforma në Sistemin e Drejtësisë.

Tashmë që Drejtësia e re është në veprim, ta lëmë drejtësinë e re të bëjë punën e vet. Çështjet e drejtësisë janë çështje të drejtësisë, ne jemi mandatuar për të qeverisur.”- u përgjigj Manja.

Manja ka komentuar edhe hetimet e drejtorisë Anti-korrupsion lidhur me abuzimet nga Kadastra e këtij qytet me pronat në bregdet.

Sipas tij ka pasur një hetim të thelluar mbi çështjet e pronave dhe se shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete.

“Drejtoria e Përgjithshme Anti-korrupsion, ka në hetim disa raste të denoncuara nga qytetarët, lidhur me abuzimet në Kadastrat e bregdetit ku nuk bën përjashtim as Vlora.

Jemi fokusuar në disa raste të denoncimeve nga qytetarë në Vlorë, shumë shpejt do kemi dhe rezultatet konkrete për abuzimet në pronat në bregdet.

Hetimi nuk përzgjedh, hetimi ka pas përfundimit e gjithë gama e zyrtarëve të përfshirë në një rast abuzimi nëse do konstatohet nuk është selektiv. I gjithë kategoria e zyrtarëve apo ish zyrtarëve.”- tha Manja.