Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar aludimet se Alqi Bllako ka lënë Shqipërinë.
Në njoftimin për shtyp Policia thotë se Bllako ndodhet i ndaluar në Drejtorinë e Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.
Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njofton policia.
Mbrëmjen e djeshme mediat ngritën dyshimet se Alqi Bllako nuk ishte në arrest dhe se kishte lënë vendin.