Nga Robert Creamer
Ndërkohë që vëmendja është e përqendruar siç duhet te Rusia e Putinit dhe Ukraina, ka një betejë tjetër për vlerat demokratike që ka kaluar pa u vënë re. Zhvillimet politike në Serbi mund të duken të largëta, por amerikanët i shpërfillin zhvillimet në Ballkan në rrezik të tyre. Betejat midis autokratëve dhe atyre në favor të demokracisë, plus grindjet ndërkomunale, kanë pasur ndikime sizmike në pjesën tjetër të botës – nga Lufta e Parë Botërore deri te luftërat e tmerrshme ballkanike të viteve 1990.
Nën presidentin autokratik Aleksandar Vuçiç, Serbia është i vetmi vend në Evropën Lindore jashtë Bjellorusisë aleate të Rusisë, që nuk vendos sanksione ekonomike ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.
Kjo nuk duhet të jetë befasi për ata që ndjekin zhvillimet në Ballkan. Putin e ka armatosur Vuçiçin me tanke, avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Me gjithë sytë e Perëndimit drejt Ukrainës, Vuçiçi mund të inicojë një tjetër konflikt vdekjeprurës ballkanik duke mbështetur dëshirën e kahershme të serbëve të Bosnjës për t’u shkëputur dhe për t’u bashkuar me Serbinë.
Në vitin 2020, Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit e renditi Serbinë e Vuçiçit në vendin e 93-të. Sipas Freedom House, “Në disa media, gazetarët janë të vetëdijshëm në mënyrë implicite se cilat tema mund dhe nuk mund të diskutojnë lirshëm”. Një mbikëqyrës i medias llogariti se midis dhjetorit 2020 dhe prillit 2021, Vuçiç ishte shfaqur për 50 orë në ekran – 85 për qind të këtyre rasteve ishte trajtuar në qasje pozitive. Në prill të vitit 2020, gazetarja Ana Laliç u arrestua pasi raportoi negativisht për reagimin e vendit ndaj COVID-19.
Kur isha në Beograd, në një bisedë me menaxheren e një gazete në pronësi gjermane, ajo më tha se nëse do të shkruanin në mënyrë kritike për Vuçiçin, do të humbnin menjëherë të gjitha të ardhurat e tyre nga reklamat. Ata zgjedhin të mos e bëjnë.
Sjellja e shkëlqyeshme pro-perëndimore e Vuçiçit jashtë vendit shumë shpesh ka lejuar që veprimet e tij antidemokratike në vend të mos vihen re. Por qeveria e Shteteve të Bashkuara ka filluar ta marrë parasysh. Në gusht të vitit të kaluar, një letër e nënshkruar nga gjashtë anëtarë të Kongresit i bëri thirrje Presidentit Biden të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor në Serbi dhe të vazhdojë të angazhojë qeverinë serbe për çrrënjosjen e korrupsionit dhe për t’i dhënë fund represionit të shtypit.
Më tej në letër thuhet se liria e shtypit “ka arritur një pikë të re të ulët në Serbi… Serbia është një vend ku gazetarët u nënshtrohen sulmeve pothuajse të përditshme që vijnë gjithnjë e më shumë nga elita në pushtet dhe media proqeveritare”.
Në prag të zgjedhjeve të muajit të ardhshëm, Neë York Times dhe MSNBC kanë raportuar se qeveria e Vuçiçit dhe partia në pushtet po përdorin fonde nga kompanitë publike, kryesisht Telekomi serb, për të ushtruar presion ndaj pak kompanive të pavarura mediatike të mbetura dhe për t’i mbyllur ato.
Në fillim të dhjetorit, administrata e Biden-it ndërmori veprime, duke urdhëruar sanksione të ashpra ndaj një aleati të ngushtë të Vuçiçit – Zvonko Veselinoviç – dhe grupit të tij të krimit të organizuar (OCG). Departamenti i Thesarit i SHBA-së vendosi sanksione dhe me publikimin e deklaratës së tij solli një “valë” tronditëse nëpër Serbi.
Vuçiq ka një origjinë të patëmetë autoritare. Si ministër i informacionit për ish-udhëheqësin autoritar të Serbisë dhe kriminelin e luftës Slobodan Millosheviç, ai shtyu dekretet masive të censurës së shtypit në vitet 1990.
Më herët në vitet 1990, Vuçiç shërbeu si komandant i dytë i Partisë Radikale Serbe ultranacionaliste, ku ndihmoi në organizimin e njësive vullnetare paraushtarake për të luftuar në Kroaci dhe Bosnjë, ku ata kishin një reputacion për plaçkitje dhe vrasje.
Pasi Millosheviçi dhe lideri i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, u paditën për krime lufte, Vuçiç krijoi Partinë Progresive Serbe (SNS). Ashtu si Putini, Vuçiçi u përpoq të fuqizonte një kuadër oligarkësh që ndihmuan në ngritjen e tij. Si zëvendëskryeministër dhe më pas si president, ai ndërtoi një ushtri patronazhi të SNS-së dhe, ashtu si ish-presidenti Donald Trump, përdori ankesat për të mobilizuar mbështetjen publike.
Kuadri i oligarkëve të Vuçiçit ka përfituar nga mbrojtja, privatizimi dhe kontratat shtetërore. Tani ata kontrollojnë energjinë, telekomunikacionin, infrastrukturën dhe median. Vëllai i Vuçiçit, Andrej Vuçiç, i besuari i tij më i ngushtë, ka reputacion për lidhje me sindikata të fuqishme kriminale. Në gusht, gazeta “LeMonde” e Francës, publikoi një raport të gjatë hetimor duke pretenduar se një tjetër aleat i Vuçiçit, Veljko Breviuk, ishte përfshirë në një seri brutale vrasjesh.
Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të sanksionojnë qeverinë serbe për t’i dhënë fund korrupsionit, për të siguruar një shtyp të lirë dhe zgjedhje të ndershme. Dhe duhet të ndihmojë në mobilizimin e aleatëve amerikanë për të bërë të njëjtën gjë. Amerikanët nuk mund të lejojnë të injorojnë betejën për vlerat demokratike në Serbi.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e The Hill/ Përshtati në shqip Hashtag.al