Mbrëmjen e së enjtes pati raportime në medie për Alqi Bllakon, se nuk kishte asnjë shenjë për ekzekutimin e masës së vendosur nga Gjykata e Posaçme për implikimin e tij në aferën e inceneratorëve.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për Balkanweb se policia kishte shkuar në banesën e Alqi Bllakos për ta arrestuar por nuk e ka gjetur. Të njëjtat raportime u bënë dhe nga medie të tjera.
Por çfarë ndodhi më pas?
Postimi provokues i avokatit të Bllakos
Avokati i mbrojtës i Bllakos, Sokol Hazizaj, bëri një postim provokues në rrjetet sociale duke i hedhur më shumë “benzinë zjarrit”.
Ndërsa në medie raportohej se Bllako nuk ishte gjetur në banesë, ai nxjerr foton e një avioni me dixhiturën, ‘Ciao përqafime’. Gjë e cila u interpretua sikur Bllako në fakt ishte larguar nga Shqipëria dhe në fakt kjo u raportua në disa portale, por nuk u mor e mirëqenë nga pjesa kryesore e medieve. Pra aludimet për një arratisje të mundshme të Bllakos, u iniciuan nga vetë ai përmes avokatit.
Më vonë pasi lajmi mori dhenë, Hazizaj u shfaq në një foto të publikuar nga gazetari Artan Hoxha i cili shkruante me batuta e ironi: “Mbani frymën njerëz…. Foto taze me juristin e njohur Sokol Hazizaj, njëkohësisht dhe avokatin e deputetit socialist Alqi Bllako… Po vrasim mendjen nëse Alqi ka ikur me traget nga Durrësi, apo me monopat nga mali…. Më duket se Visit këtë radhë, i ngelën dy paketat në xhep…”
Reagimi i Policisë
Por Policia mëngjesin e sotëm përmes një njoftimi për mediet, i përgënjeshtroi aludimet duke thënë se Bllako në fakt ndodhet i ndaluar në Drejtorinë e Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, informon publikun se përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme.
Sqarojmë se shtetasi Alqi Bllako është vetëdorëzuar konform detyrimit ligjor për zbatimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”– thuhej në njoftimin e Policisë.
Por sikurse vihet re, policia nuk jepte orarin në të cilin ish-deputeti i PS-së kishte vendosur të paraqitej në Policinë e Shtetit.
Pra, kur u vetëdorëzua Bllako në të vërtetë?
Sipas raportimeve të televizionit “News 24” dhe “Balkanweb”, në fakt Bllako është vetëdorëzuar rreth orës 3 të mëngjesit.
Gazetarja e “Top Channel” Anila Hoxha ka reaguar lidhur me këto raportime duke thënë se ato kanë qenë të sakta dhe se Bllako nuk kishte qenë në banesë kur efektivët shkuan ta kërkonin dhe se është dorëzuar vetëm në orët e para të mëngjesit të sotëm.
“Alqi Bllako nuk u gjet në banesë kur policët me vendim në dorë shkuan për ta arrestuar.
Fakt
Policia u kthye duar bosh, e turpëruar gjatë atyre orëve kur nuk pati kurajo dhe u fsheh sicc e bën përherë kur ska ccfarë thotë. Kur nuk pranon se ka dështuar dhe fshihet si struci.
Fakt
Vendimi për Alqi Bllakon u dha pak para mbarimit të orarit zyrtar.
Fakt
Alqi Bllako u vetwdorëzua diccka rreth orës 2 të mëngjesit dhe në ato momente ishte i kërkuar. I pagjetur.”– shkruan Hoxha.
Sipas gazetares njoftimi zyrtar i policisë është gjysmë i vërtetë ashtu si “shumë gjysmë të vërtetat që referon ngahera ky institucion në ato aksionet propogandistike.”/Hashtag.al