Vendosni fjalën kyçe....

Trajneri Cungu shpalos strategjinë e dështimit me sukses dhe në FSHF


Miopi apo justifikim.

Tekniku shkodran i skuadrës kombëtare U -19 Armando Cungu në një prononcim për fshf.org është shprehur se futbollistët shqiptarë që aktivizohen në skuadrat e huaja në këtë grumbullim nuk kanë shfaqur asnjë vlerë. Ky lloj justifikimi  i nxituar i shkodranit të pankinës kuqezi, pas përgatitjeve dhe dështimit në dy sfida me bashkëmoshatarët kosovarë, nuk e lehtëson, por përkundrazi e rëndon atë pasi përzgjedhjen atij dhe stafit nuk ja ka bërë presidenti Duka apo njerëzit afër tij, por vetë zotnia Cungu sëbashku me bashkëpunëtorët.

Sipas disa informacioneve që ne disponojmë, mëse njëherë ai haptas është shprehur para futbollistëve që prej 10 ditësh i stërviti që nuk vlejnë dhe se ata nuk janë më të mirë se djali i tij që luan me skuadrën e U -19 të Vllaznisë?!

Atëherë ne pas gjithë këtyre insinuatave të teknikut Cungu shtrojmë pyetjen: Përse nuk ishe i shqetësuar përpara se lojtarët të grumbulloheshin dhe të mos paguheshin gjithë ato shpenzime për ardhjen e tyre në këtë zbor stërvitor?

Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë miopi tënden dhe të stafit që të rrethon? Përse kërkon të justifikohesh tek forma e dobët e lojtarëve të ardhur nga jashtë Shqipërisë dhe nuk mban asnjë përgjegjësi personale për këtë dështim? 

Po departamenti i rekrutimit të futbollistëve të kombëtares çfarë përgjigje ka për dështimin e këtij zbori që mban vulën dhe firmën e Cungut?

Shumë trajnerë kur dështojnë në misionin e tyre të pamundur japin dorëheqjen dhe rehatohen në një farë mënyre sepse e kanë ndërgjegjen e pastër, ndërsa trajneri ynë i përkëdhelur me emrin Armando Cungu vazhdon vetëm me justifikime.

A ka marrë Presidenti Duka informacion për këtë dështim të turpshëm të skuadrës U -19? Mendojmë se ka ardhur koha dhe momenti që pas çdo dështimi të kemi një qasje dhe një organizim të ri ku padyshim të kërkohet më shumë përkushtim edhe nga stafi italian i teknikut Reja për të patur një vazhdimësi të mirë tek skuadra e madhe. Kjo do t’ia priste udhën justifikimeve dhe qarjeve të trajnerëve tip Cungu, që pasi ndërtoi vetë një kala prej rëre, në fund tha se kjo kala nuk vlen.