Një oficer rezervë i ushtrisë gjermane është akuzuar se ka spiunuar në favor të shërbimit inteligjent të Moskës dhe akuzohet se i ka kaluar Rusisë informacione të ndjeshme ushtarake dhe financiare për gati një dekadë.
I identifikuar vetëm si ‘Ralph G’ nga autoritetet vendase, burri u akuzua në mes të marsit nga gjykata shtetërore në Dusseldorf me dyshimin se ai ‘punonte për një shërbim sekret të huaj kundër Republikës Federale të Gjermanisë dhe kundër NATO-s’.
“Të paktën që nga tetori i vitit 2014, ai ka qenë në kontakt me një oficer të shërbimit inteligjent rus përmes personave të ndryshëm”, pohuan prokurorët, duke shtuar se ‘deri në mars 2020, ai i ka përcjellë dokumente dhe informacione në shumë raste, disa prej të cilave kanë ardhur nga publiku, por edhe nga burime jopublike në lidhje me veprimtarinë e tij si oficer rezervë.’
Ushtari thuhet se ka shërbyer si ‘zëvendësdrejtor’ i një komande ndërlidhëse vendase të qarkut dhe ‘ishte anëtar i disa komiteteve të ekonomisë gjermane’. Roli i fundit dyshohet se e lejoi atë të jepte ‘informacione nga sektori ekonomik’, si ndikimi i sanksioneve gjermane ndaj Rusisë në 2014, ose ndëshkimet më të fundit kundër projektit të gazsjellësit Nord Stream 2. Ai dyshohet se ndau gjithashtu informacione të paspecifikuara për rezervistët e ushtrisë.
Megjithëse prokurorët nuk ofruan shumë hollësi mbi motivet e burrit, ata thanë se ai mori ‘ftesa për ngjarje të organizuara nga agjencitë qeveritare ruse’ në këmbim të shërbimeve të tij, të cilat përfshinin gjithashtu dorëzimin e ‘të dhënave personale’ për anëtarë ‘të rangut të lartë të ushtrisë’.
Aktakuza vjen pasi një ish-punonjës i ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Berlin u kap për akuza të ngjashme në gusht, i akuzuar gjithashtu për sigurimin e dokumenteve për inteligjencën ruse.
Një tjetër shtetas gjerman u dënua me dy vjet prapa hekurave në fund të vitit të kaluar pasi dyshohet se u kishte dhënë spiunëve kopje të planeve për ndërtesat parlamentare, ndërsa një profesor rus që punon në një universitet gjerman, Ilnur Nagaev, tani është duke u gjykuar me akuzat se ai ndau hollësi të ndjeshme mbi programin hapësinor të Bashkimit Evropian me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme të Rusisë.