Vendosni fjalën kyçe....

Pentagoni paketë 300 mln dollarë për ndihmë ushtarake ndaj Ukrainës


Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se do të ndajë 300 milionë dollarë për “mbështetje të sigurisë” për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.

Me këtë shumë të ndarë, ndihma që Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës, që prej se Rusia nisi pushtimi në shkurt, ka arritur në 1.6 miliard dollarë.

Në pakon e re të ndihmës përfshihen sisteme raketash që operohen me laser, pajisje për shikim natën, sisteme të komunikimit të sigurt taktik, furnizime mjekësore dhe automjete të blinduara.

“Ky vendim thekson angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës në mbështetje të përpjekjeve të saja heroike për t’iu kundërpërgjigjur luftës që zgjodhi Rusia”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Pengtagonit, John Kirby.

Më 30 mars, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky, biseduan për ndihmën shtesë për ushtrinë ukrainase.

Në mesin e muajit mars, Kongresi amerikan kishte miratuar një projektligj ku përfshiheshin 13.6 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën dhe për aleatët e NATO-s në Evropën Lindore.

Pas vendimit të Kongresit, presidenti Biden njoftoi për një pako të re të sigurisë për Ukrainën në vlerë prej 1 miliard dollarësh.