Vendosni fjalën kyçe....

Basha: PD-ja nuk bën përpara me non grata. Bunkerizimi për tu mbrojtur nga sulmi i nisur nga Berisha


Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha pas takimit me mbështetës në Shkodër, ditën e sotme ka dhënë një deklaratë të shkurtër për mediat e pranishme ku ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj Sali Berishës.

Basha tha se PD-ja nuk bën përpara me non grata dhe pa u shkëputur nga gjuha e propagandës dhe e linçimit.

“Prej kohësh debati shkon aty ku i intereson një grupi njerëzish dhe jo aty ku i interesojnë shqiptarët. Shqiptarët janë të dëshpëruar sepse një grup njerëzish mbajnë peng politikën dhe të ardhmen e vendit. Mposhtja e këtij sistemi si fillim duhet bërë duke kuptuar se sa jemi në lartësi të detyrës në si demokratë dhe si do ta bëjmë këtë. Bashkimi bëhet rreth vlerave. Nuk mund të flasësh gjithë ditën për bashkim dhe të ngresh në piedestal anti-vlerave. PD nuk mund ta ketë kartën morale të shpëtimit të shqiptarëve nga një regjim i pakicës nëse braktis lajtmotivin që ka lindur, që është vlera dhe orientimi perëndimor. Refuzoj çdo gjuhë dhe gënjeshtër që hidhet për ta hequr vëmendjen. PD nuk bën para me non grata dhe pa u shkëputur plotësisht nga fshehja e të vërtetës nga gjuha e propagandës dhe gjuha e linçimit. Diskutimi i tillë i shërben të keqes.”-deklaroi Basha.

Basha është pyetur edhe për fortifikimin e selisë blu me dyer çeliku të cilat u hoqën më pas nga Grupi i Rithemelimit.

Basha tha se ato ishin masa të nevojshme për të mbrojtur demokratët nga dhuna fizike që nxiti Berisha.

Ai nxiti sulmin fizik ndaj PD. Ato ishin masa mbrojtëse ndaj konfliktit dhe dhunës së nxitur nga gjuha e një njeriu për interesat të familjes”, tha Basha.