Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri i Pakistanit shpall zgjedhje të parakohshme


Kryeministri pakistanez Imran Khan ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme pasi një votë mosbesimi kundër tij u anulua papritur nga nënkryetari i parlamentit të dielën.

Partia e Khanit “PTI” në fakt humbi shumicën e saj në Asamblenë Kombëtare javën e kaluar kur shtatë deputetë nga partneri i koalicionit vendosën të bashkohen me radhët e opozitës.

Rivalët e kryeministrit këmbëngulën se kjo u kishte dhënë atyre një shans real për të rrëzuar Khanin, i cili ka qenë në detyrë që nga viti 2018.

Por nënkryetari i parlamentit Qasim Khan Suri anuloi mocionin e mosbesimit të sjellë nga opozita në një veprim të befasishëm, duke përmendur “ndërhyrjen e huaj“.

Khan, i cili pretendon se ekziston një “komplot ndërkombëtar” i udhëhequr nga SHBA-të për ta hequr atë nga pushteti, më pas mbajti një fjalim televiziv, duke i thënë popullit se duhet “të përgatitet për zgjedhje”.

“Ju do të vendosni për të ardhmen e këtij kombi, jo të korruptuarit apo të huajt.”- tha ai, citon RT.

“Blerja e njerëzve përmes parave” ka qenë arsyeja e krizës aktuale, tha Khan, duke këshilluar ata që po përpiqeshin ta rrëzonin atë që t’i “përdornin ato para në diçka më të mirë”.

Presidenti pakistanez Arif Alvi ka shpërndarë parlamentin pas një mocioni të Khan. Sipas ligjeve të vendit, zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen brenda 90 ditëve të ardhshme.

Lideri i partisë opozitare PPP Bilawal Bhutto Zardari ka pohuar se qeveria ka “shkelur kushtetutën” duke refuzuar votën e mosbesimit.

Opozita e bashkuar” do të organizonte një protestë në Asamblenë Kombëtare derisa të bëhej votimi për të ardhmen e Khan, tha ai, duke premtuar gjithashtu se do ta kundërshtonte vendimin në gjykatë.