Vendosni fjalën kyçe....

Polonia sugjeron vendosjen e armëve bërthamore amerikane në Evropën Lindore


Zëvendëskryeministri i Polonisë Jaroslaw Kaczynski, shprehet në favor të vendosjes së armëve bërthamore amerikane në Evropën Lindore, duke përmendur si argument ofensivën ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës.

Në një intervistë me gazetën gjermane “Die Welt” të botuar të dielën, Kaczynski tha se “në thelb, ka kuptim të zgjerohet ndarja bërthamore në krahun lindor”, me sa duket duke iu referuar një koncepti të NATO-s sipas të cilit “përfitimet, përgjegjësitë dhe rreziqet e parandalimit bërthamor ndahen në të gjithë Aleancën.”

Zyrtari polak vuri në dukje megjithatë se një iniciativë e tillë duhet të vijë nga SHBA-ja, citon RT.

Për më tepër, Kaczynski i bëri thirrje bllokut ushtarak të ngrejë një qendër të re komanduese në Poloni, e ngjashme me atë në qytetin holandez të Brunssum, “nga ku do të planifikohen dhe kryhen vendosjet e përbashkëta të NATO-s”. Sipas zv.kryeministrit, kjo do t’i dërgonte një sinjal të qartë Rusisë se aleanca ushtarake tani është e pranishme në Evropën Lindore edhe në nivel komandimi.

Përveç miratimit të konceptit të NATO-s, Varshava “do ta mirëpresë atë nëse amerikanët në të ardhmen do të rrisin praninë e tyre në Evropë nga 100 mijë ushtarë që janë aktualisht në 150 mijë”.

Kaczynski në këtë rast përmend “agresivitetin në rritje të Rusisë” si kërcënimin kryesor. Zyrtari polak vazhdoi të zbërthejë numrat, duke shpjeguar se “75 mijë trupa duhet të vendosen përgjithmonë në krahun lindor, domethënë në kufirin me Rusinë”. Ai tha gjithashtu për Die Welt se Varshava do të dëshironte të shihte një personel prej 50 mijë vetë të shërbimit amerikan vetëm në shtetet baltike dhe në Poloni.

Thirrjet e Kaczynskit për Uashingtonin që të forcojë kontigjentin e tij ushtarak në kontinentin evropian vijnë pavarësisht se NATO ka rënë dakord tashmë të vendosë grupe shtesë beteje në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki.

Një pjesë e intervistës së zëvendëskryeministrit iu kushtua kritikave ndaj Gjermanisë për refuzimin e saj për të vendosur një embargo ndaj naftës ruse dhe në masën e mbështetjes që ajo i jep Ukrainës. Ai u tha gazetarëve se ishte “shumë i pakënaqur për sjelljen e qeverisë gjermane”, duke shtuar se Berlini “mund të jepte më shumë armë”, si dhe “të fliste në BE në favor të një embargoje të naftës”.