Ndërsa presidentit Ilir Meta po i mbaron mandati, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar mbi profilin që sipas tij duhet të ketë presidenti i ri.
Sipas tij duhet të jetë në shërbim të njerëzve dhe që i do të mirën vendit ndërsa shtoi se preferon një të ngjashëm si ish-presidenti Alfred Moisiu.
“Shumë shpejt do të na duhet të mendojmë për Presidentin e ardhshëm të Shqipërisë. Kam dëgjuar debatet që bëhen sot nëpër studiot televizive, apo qoftë edhe brenda partive tona, për të gjetur identikitin e Presidentit të ardhshëm.
Njëri thotë duhet të jetë kështu, tjetri thotë duhet të jetë ashtu, të ketë këtë moshë apo atë moshë, por në fund të gjithë kanë një të përbashkët: kush i do të mirën këtij vendi dhe do të sugjerojë identikitin e Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, thotë: ai duhet të jetë si Presidenti Moisiu sepse besoj se ka një konsensus të jashtëzakonshëm, përtej bindjeve politike, përtej të majtës dhe së djathtës, përtej myslimanëve dhe të krishterëve, përtej veriut dhe jugut, se ai është identikiti i Presidentit që na duhet. Një njeri me rrënjë, një njeri me bosht, me shtyllë kurrizore që është në shërbim të publikut.”– tha Veliaj.
Këto komente Veliaj i bëri dje teksa ishte i ftuar në Konferencën Ballkanike për Lidership – “Rinia dhe e ardhmja e Ballkanit”, e organizuar nga Federata e Paqes, e drejtuar nga ish-Presidenti Moisiu.