SPAK ka njoftuar se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për avokatin Lavdosh Shehu dhe zyrtarin në Ministrinë e Drejtësisë Hamza Tola.
Avokati Lavdosh Shehu u arrestua më 22 tetor me urdhër të SPAK-ut, pasi akuzohet se i kërkoi 12 000 euro familjes Hyseni, duke i premtuar ekstradimin nga Italia duke korruptuar zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë.
Ai siguronte familjarët se në këmbim të parave i afërmi i tyre do vuante dënimin e marrë nga autoritetet italiane në Shqipëri.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pas përfundimit të hetimeve, ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, procedimin penal nr. 179 të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurëve:
Lavdosh Shehu, me profesion avokat, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë dhe neni 25 i Kodit Penal ;
Hamza Tola, punonjës shërbimi në Ministrinë e Drejtësisë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë dhe neni 25 i Kodit Penal ;
Nga hetimet rezultoi e provuar se shtetasi Lavdosh Shehu, i ka kërkuar familjes së shtetasit F.H., një shumë prej 12 000 (dymbëdhjetë mijë) euro, duke premtuar dhe siguruar se ka aftësinë për të ushtruar ndikim në funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për kryerjen e transferimit të shtetasit F.H. nga shteti Italian, për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Këtë ndikim në funksionarët e Ministrisë së Drejtësisë, shtetasi Lavdosh Shehu, do ta realizonte në bashkëpunim me shtetasin Hamza Tola, punonjës shërbimi në këtë Ministri. Në vijim, shtetasi Lavdosh Shehu, ka arritur të marrë nga familjarët e të dënuarit F.H. vetëm një shumë prej 5 000 (pesë mijë) euro.