SHBA ka testuar një raketë hipersonike të projektuar nga Lockheed Martin për programin Hypersonic Air-breathing Weapon Concept (HAWC). Kështu raportoi të hënën CNN duke iu referuar një zyrtari të mbrojtjes.
Raketa u testua në mes të marsit, por administrata e Joe Bidenit e mbajti të fshehtë për dy javë, për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve me Rusinë ndërsa presidenti amerikan ishte gati të udhëtonte në Evropë.
Testi erdhi disa ditë pasi Rusia thotë se përdori raketën e saj hipersonike gjatë pushtimit të Ukrainës, duke pretenduar se synonte një depo municioni në Ukrainën perëndimore.
Sipas burimit të CNN, raketa u lëshua në brigjet perëndimore dhe udhëtoi në një lartësi prej 20 mijë metrash për më shumë se 480 kilometra. Burimi nuk bëri të ditur shpejtësinë e predhës, megjithëse duhet të ishte të paktën Mach-5, që konsiderohet si diapazoni i ulët për armët hipersonike.
Ky ishte testi i dytë i raportuar i suksesshëm në kuadër të programit HAWC, i cili drejtohet bashkërisht nga Forcat Ajrore të SHBA-ve dhe Agjencia e Projekteve të Avancuara të Kërkimit të Mbrojtjes së SHBA-ve (DARPA).
SHBA-të besohet se janë disi prapa Rusisë dhe Kinës për sa i përket zhvillimit të armëve hipersonike.