Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni aktivizon mekanizmin e sundimit të ligjit kundër Hungarisë


Komisioni Evropian ka njoftuar Hungarinë se po aktivizon mekanizmin e kushtëzimit për shkeljet e sundimit të ligjit, duke i hapur derën sanksioneve financiare.

“Komisioni u ka folur sot autoriteteve hungareze se tani do dërgojnë një letër zyrtare për të filluar mekanizmin e kushtëzimit,” tha shefja e Komisionit Ursula von der Leyen para eurodeputetëve të martën pasdite.

Më herët në fjalimin e saj, Von der Leyen kishte thënë se Komisioni i kërkonte Budapestit të zbatonte reforma për të luftuar korrupsionin. Megjithatë, ajo vuri në dukje se të dy palët “nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbashkët”.

Ajo shtoi se Komisioni ka ndjekur procedurën e përcaktuar nga traktatet duke adresuar një letër njoftimi formal dhe duke e referuar më vonë rastin në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe se me marrjen e përgjigjeve të Hungarisë, ata nxorën “përfundimin që duhet të kalojnë në hapin tjetër”.

Ligjvënësit në Strasburg, të cilët prej kohësh kanë kërkuar që ekzekutivi i BE-së të vazhdojë me mekanizmin e ri, brohoritën njoftimin me një duartrokitje.

Njoftimi vjen vetëm dy ditë pasi Viktor Orban, fitoi një mandat të katërt radhazi si kryeministër i Hungarisë. Partia e tij Fidesz siguroi 53% të votave dhe dy të tretat e “supershumicës” në parlament.

Orban, i cili e ka ndërtuar karrierën e tij në përplasjen me BE-në, e kishte përshkruar fitoren e tij të dielën në mbrëmje si “aq të madhe sa mund ta shihni dhe nga hëna dhe sigurisht që mund ta shihni nga Brukseli”.