Partia Demokratike ka reaguar përmes një njoftimi për mediet, lidhur me takimin që pati sot ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim me kryetarin e grupit parlamentar të kësaj force politike, Enkelejd Alibeajn.
Përmes një postimi, Kim e quajti Alibeajn “kryetar të PD-së” paçka se Gjykata e Tiranës ia ka njohur të drejtën e drejtimit të PD-së Komisionit të Rithemelimit.
Në njoftimin e zyrës së shtypit të selisë blu, e konsideroi deklaratën e ambasadores qesharake dhe absurde, ndërsa shtoi se kjo është një shkelje e përsëritur e Konventës së Vienës.
“Yuri Kim hyri sot në Kuvendin e Shqipërisë për një takim me kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, por kur doli, me anë të një deklarate e shpalli atë në mënyrë qesharake dhe absurde si kryetar të Partisë Demokratike.
Yuri Kim sot, sikurse dhe herë të tjera, nuk bëri asgjë më pak përveçëse shkeli në mënyrë të përsëritur Konventën e Vienës si diplomate, duke shkelmuar mbi vendimin e gjykatës që konfirmoi verdiktin e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, që i riktheu selinë, logon dhe vulën Komisionit të Rithemelimit- organit kolegjal të vetëm udhëheqës aktual të Partisë Demokratike. Ajo gjithashtu, injoroi edhe votën e zgjedhësve të shprehur qartë më 6 mars.”- thuhet në reagimin e PD-së.
Po ashtu PD e akuzon ambasadoren Kim se vërtetoi se është në shërbim të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën.
DEKLARATA E PLOTË
Pas një heshtje të zgjatur e të kuptueshme nga zgjedhjet e 6 Marsit, ambasadorja Yuri Kim injoroi themelin e demokracisë së shtetit të saj “Ëe, the People”.
Yuri Kim hyri sot në Kuvendin e Shqipërisë për një takim me kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, por kur doli, me anë të një deklarate e shpalli atë në mënyrë qesharake dhe absurde si kryetar të Partisë Demokratike.
Yuri Kim sot, sikurse dhe herë të tjera, nuk bëri asgjë më pak përveçëse shkeli në mënyrë të përsëritur Konventën e Vienës si diplomate, duke shkelmuar mbi vendimin e gjykatës që konfirmoi verdiktin e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, që i riktheu selinë, logon dhe vulën Komisionit të Rithemelimit- organit kolegjal të vetëm udhëheqës aktual të Partisë Demokratike. Ajo gjithashtu, injoroi edhe votën e zgjedhësve të shprehur qartë më 6 mars.
Yuri Kim vërtetoi sot atë që e ka parathënë edhe me veprime të tjera se është në shërbim të lojrave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët.
Për fat të mirë, shqiptarët e kanë kuptuar se vlerat e vërteta të SHBA-ve nuk janë arroganca, diversioni apo diktati, por vota e lirë dhe demokracia. Këtë e kuptoi edhe ish-kryetari që u largua dhe do ta kuptojë cilido që mendon të uzurpojë opozitën kundër vullnetit të shumicës.