Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti, që ta rishikojë sa më parë buxhetin për shkak të krizës financiare që ka kapluar vendin. Kjo parti ka treguar se përkrah mundësinë që qytetarët të tërheqin një pjesë të Trustit. Buxheti për vitin 2022 është saktësisht 2 miliardë e 748 milionë euro.
Situata ekonomike në Kosovë është e rëndë dhe alarmante, prandaj nevoja për ndërhyrje në rishikim të buxhetit është e menjëhershme, ka thënë Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Kanë ndryshuar parashikimet në të cilat është bazuar buxheti. Janë rritur çmimet, ka ndryshime në inflacion dhe në parametra të tjerë ekonomikë”, ka deklaruar Haradinaj duke përsëritur thirrjen për ndërhyrje të menjëhershme të qeverisë me masa adekuate.
Haradinaj tha se AAK-ja e ka analizuar situatën, dhe sipas tyre “kanë ndryshuar të gjitha parashikimet në të cilat është bazuar ky buxhet”.
“Kërkojmë urgjentisht që të ndodhë rishikimi i buxhetit, praktikat e rishikimit ekzistojnë, kërkojmë që të ndodhë tani, urgjent dhe analiza e jonë është se kanë ndryshuar të gjitha parashikimet në të cilat është bazuar buxheti”.
Kreu i AAK-së përmendi inflacionin dhe rritjen e çmimeve, ndërsa përmendi disa propozime për Qeverinë në lidhje me masat që duhet të ndërmerren.
“Ne i propozojmë Qeverisë që të parasheh disa instrumente me të cilat do të ndërhyjë në krizën financiare në vend. Ekziston mundësia dhe është reale heqja e TVSH-së për artikujt bazë ushqimorë për 3 muaj dhe për t’u rivlerësuar. Ne kërkojmë që të ndodh rishikimi tani, analiza jonë është se kanë ndryshkur të gjitha parashikimet që është bazuar ky buxhet, janë rrit çmimet, të hyrat. Si aleancë i sugjerojmë qeverisë së vendit që ta ndërmerr rishikimin urgjent. I propozojmë qeverisë që të parasheh disa instrumente me të cilat do të ndërhyj në krizën financiare në vend për fuqitë blerëse dhe vështirësitë qe po kalojnë qytetarët e vendit, është reale heqja e TVSH-së”.
Haradinaj në konferencë ka dal bashkë me ekonomistët e partisë dhe ish-ministrat, Fatmir Gashi dhe Haki Shatri, për të shpjeguar jo vetëm problemet, por edhe masat që ata besojnë se duhet të ndërmerren.
E ish-ministri Haki Shatri, tha se buxheti aktual është përgatitur më disa premisa jo reale. Tutje, tha se proklamomi i qeverisë për rritje të GDP për vitin 2022 për 14.5 për qind është në kundërshtim me të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare.
“Është vlerësuar që rritja e GDP për vitin 2022 do të jetë 14.5 për qind gjë që është në kundërshtim me të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare. Nuk mund të ndodh në këtë vit nuk mund të ndodh në asnjë vit me këto parametra. Janë shifra joreale që e krijojnë një bazë shumë reale për kërkesën tonë që të bëhet një rishqyrtim sa më shpejt i buxhetit, e jo të pritet ajo koha tradicionale – siç e tha edhe kryeministri Haradinaj – por të bëhet menjëherë sepse ka nevojë të adaptohen shifrat në buxhetin zyrtar me kërkesat aktuale”, tha Shatri.
Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij e përkrah mundësinë që qytetarët të tërheqin një pjesë të trustit, derisa kërkoi që të bëhet një analizë dhe të gjendet formula e rikthimit të këtyre mjeteve
Ai tha se duhet të bëhet një analizë e kujdesshme, për shumën se sa duhet të tërhiqen, derisa kërkoi që të gjendet edhe formula e rikthimit të këtyre mjeteve nga Qeveria.
“Kemi analizuar edhe këtë veprim me kujdes me kolegët tanë, e përkrahim, për shumën se sa duhet jemi të hapur të bëhet një analizë e kujdesshme. Duhet të bëhet një projekt se si do të kthehen këto mjete nga qeveria. Pra, jemi të interesuar që të gjendet formula e rikthimit nga Qeveria.Jemi të shqetësuar për situatën me likuiditetin e kostot dhe është një situatë që po vazhdon të përkeqësohet. Devijimet e vazhdueshme në furnizim me energji po e rritin koston”.
Ai tha se duhet të hiqet TVSH-ja për artikujt bazë ushqimorë për tre muaj dhe të bëhet rishikimi i akcizës së naftës.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar me 65 vota pro, të premten e 17 dhjetorit në shqyrtim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2022, i cili është 2.7 miliardë euro.
Nga të dhënat e publikuara nga Qeveria e Kosovës, në buxhetin e 2022 miliona euro janë ndarë për skemën e punësimit të të rinjve, për shtesat e lehonave dhe fëmijëve e skema sociale e pensionale.
20 milionë euro janë ndarë për skemën e punësimit të garantuar për të rinj. 45 milionë euro për shtesat për lehonat dhe fëmijë. 35 milionë euro për skemat sociale e pensionale. Kurse sa i përket investimeve: 40 milionë euro janë ndarë për prodhuesit vendorë. 40 milionë euro për ri-ngritjen e ndërmarrjeve publike.
Mbi 700 milionë euro për sektorin e arsimit, shëndetësisë, kulturës, infrastrukturës e sigurisë. Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, ky ligj siguron qëndrueshmëri të financave publike, ringjallje të ekonomisë e orientim drejt prodhimit vendor, përkrahje të punësimit e fuqizim të grave, dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e rritje të mirëqenies qytetare.
Buxheti për vitin 2022 është saktësisht 2 miliardë e 748 milionë euro, njëherit buxheti më i lartë që ka pasur Republika e Kosovës ndonjëherë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor