Vendosni fjalën kyçe....

Meta takim me presidentin bullgar: BE të nisë negociatat me Shqipërinë dhe Kosovës t’ia heqë vizat


Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon një vizitë zyrtare në Bullgari ku është takuar me homologun e tij Rumen Radev.

Gjatë fjalës së tij Meta theksoi bashkëpunimin mes dy vendeve si dhe angazhimin e Bullgarisë në procesin integrues të Shqipërisë.

Kjo vizitë është një tregues i qartë i partneritetit tonë dhe trendit pozitiv të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të shkëlqyer dypalësh, mes dy vendeve dhe popujve, si dhe një dëshmi e mëtejshme e angazhimit serioz të Bullgarisë në procesin integrues të Shqipërisë. Të dy vendet kanë një marrëdhënie të veçantë tradicionale, historike, kulturore dhe ekonomike” – vuri në dukje presidenti Meta.

Meta gjatë takimit me presidentin bullgar, i kërkoi BE-së, çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe liberalizimin e vizave me Kosovën. 

“Në mënyrë që të japim mesazhe optimiste, për vazhdimësinë e projektit të zgjerimit të Bashkimit Europian, do të donim shumë dhe do të bënim çdo përpjekje, për miratimin e kuadrit negociator për Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nga ana e Bashkimit Evropian, sa më parë.

Besoj, se do të shtojmë të gjitha përpjekjet, që të kemi një moment pozitiv për zgjerimin dhe për Shqipërinë, dhe për Maqedoninë e Veriut sa më parë, që të jetë e mundur. Ashtu sikurse është shumë i rëndësishëm, vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, nga ana e Bashkimit Europian.

Këto do të ishin qasje shumë të dobishme, strategjike të BE-së, për të dhënë mesazhe premtuese, për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor, dhe  të gjithë ata, të cilët dëshirojnë t’i bashkohen këtij projekti në të ardhmen”, tha Meta. 

Kreu i shtetit foli edhe për agresionin rus në Ukrainë, duke theksuar se Shqipëria mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe dënon krimet barbare të ushtrisë ndaj civilëve. Paqja dhe siguria janë në rrrezik, tha Meta, ndërsa shtoi se për krimet ruse në Ukrainë duhet hetim ndërkombëtar. 

“Ne jemi në mbështetje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dënojmë krimet barbare me të cilat jemi njohur të gjithë, dhe për të cilat kërkohet hetim ndërkombëtar dhe jemi për një ndërprerje të menjëhershme të këtij agresioni, por dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, përmes dialogut dhe  marrëveshjes.

Njëkohësisht jemi më të angazhuar se kurrë, për të treguar përkushtimin tonë, ndaj demokracisë dhe ndaj perspektivës më të fortë europiane dhe euro-atlantike të kontinentit tonë. Në këtë drejtim, stabiliteti dhe perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor, është shumë e rëndësishme për ne, por jam i sigurt është shumë e rëndësishme edhe për Bashkimin Europian dhe për vetë Bullgarinë, si vend anëtar i BE-së, që ka qenë i angazhuar për progresin e të gjithë rajonit tonë”