Më shumë se 519 fëmijë irakianë janë vrarë ose gjymtuar gjatë 5 viteve të fundit nga mbetjet shpërthyese, njoftoi sot UNICEF.
“Gjatë pesë viteve të fundit, 519 fëmijë janë vrarë ose gjymtuar në Irak për shkak të mjeteve shpërthyese”, thuhet në deklaratën e UNICEF-it me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit ndaj Minave, të lëshuar së bashku me Shërbimin e Veprimit ndaj Minave të Kombeve të Bashkuara (UNMAS).
Deklarata thekson se më shumë se 80 për qind e fëmijëve të prekur janë djem “për shkak të incidenteve të punës së fëmijëve, të tilla si kullotja e kafshëve ose mbledhja e hekurishteve për t’u shitur”.
“Fëmijët janë veçanërisht të prekshëm, të tërhequr nga mbetjet për pamjen e tyre plot ngjyra dhe të pavetëdijshëm se sa të rrezikshme janë ato. Disa nga këto armë janë objekte shtëpiake të njohura që janë kthyer në eksploziv”, thuhet në deklaratë.
UNICEF dhe UNMAS u kërkuan qeverive “të shmangin përdorimin e armëve shpërthyese në zonat e populluara (EWIPA) dhe të flasin për mbrojtjen e fëmijëve dhe civilëve në mbarë botën nga kërcënimi i mjeteve shpërthyese.
Ata paralajmëruan se megjithëse Iraku nuk ka vuajtur nga konflikte të hapura vitet e fundit, “efektet e armëve shpërthyese do të jehojnë në vitet në vijim”.
Të dy organizatat premtuan të vazhdojnë të ofrojnë “edukim për rrezikun e mjeteve shpërthyese (EORE) dhe referime për shërbime përkatëse, përfshirë trajtimin mjekësor dhe mbështetjen psiko-sociale”.
Megjithatë, ata i kërkuan qeverisë irakiane dhe komunitetit ndërkombëtar që të lehtësojnë “shkallën dhe ofrimin e aktiviteteve EORE në mënyrë që fëmijët dhe anëtarët e tjerë të komunitetit të marrin leksione të shpëtimit në shkolla dhe komunitete në të gjitha zonat e prekura më parë nga konflikti në Irak”.
Mbetjet shpërthyese janë disa nga sfidat më të mëdha të sigurisë që autoritetet irakiane po përpiqen t’i adresojnë.
Eksplozivët datojnë nga lufta Irak-Iran në vitet 1980, luftën Irak-Kuvajt në 1991, pushtimin e SHBA-së në Irak në 2003 dhe luftën e Irakut kundër grupit terrorist DEASH.