Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky para Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Ushtarët rusë po vrasin dhe torturojnë “vetëm për kënaqësi”


Presidenti ukrainas Volodymr Zelensky liston mizoritë që sipas tij forcat ruse kanë kryer gjatë pushtimit.

Duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ai thotë në qytetin e Bucha “nuk ka asnjë krim të vetëm që ata nuk do të kryenin”.

Zelensky pretendon se njerëzit u qëlluan në rrugë, në shtëpitë e tyre, u hodhën në puse dhe u shtypën nga tanket në mes të rrugës “vetëm për kënaqësinë” e ushtarëve rusë.

Ai përsërit pretendimin e tij se veprimet e rusëve janë shumë të ngjashme me ato të grupit terrorist, Shteti Islamik, dhe se propaganda e Presidentit Putin kërkon të “eksportojë” urrejtjen e tij në vende të tjera përtej Ukrainës.

“Ku është siguria që duhet të japë këshilli i sigurisë?”- pyet ai sipas BBC. “Ku është paqja? Ku janë ato garanci që OKB-ja duhet të garantojë?”

Zelensky thotë se bota duhet të shohë ende se çfarë krime të mëtejshme lufte mund të ketë kryer ushtria ruse në pjesë të tjera të Ukrainës, përveç vrasjeve të supozuara në Bucha.

“Gjeografia mund të jetë e ndryshme, por mizoria është e njëjtë, krimet janë të njëjta dhe përgjegjësia duhet të jetë e pashmangshme.”– thotë ai.