Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja Kim takohet me Ballën: Folëm për Reformën në Drejtësi


Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim vijon takimet në Kryesinë e Kuvendit. Ditën e sotme pati një takim me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Pas këtij takimi, ka qenë vetë diplomatja amerikane ajo që ka bërë publike temat për të cilat ka diskutuar me deputetin socialist.

“U takova me drejtuesin e grupit të PS-së Taulant Balla për të diskutuar për rritjen e bashkëpunimit mes SHBA-ve dhe Shqipërisë gjatë kremtimit tonë të njëqindvjetorit; vazhdimi i zbatimit të reformës në drejtësi, e cila mbështetet nga SHBA dhe është e nevojshme që Shqipëria të bashkohet me BE-në; dhe duke respektuar rolin institucional të Parlamentit.”- shkruan Kim në një postim në “Twitter” ku ka shpërndarë edhe një foto të këtij takimi.

Kujtojmë se ambasadorja Kim një ditë më parë u takua dhe me kreun e grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, të cilin e quajti edhe “kryetar” të Partisë Demokratike duke injoruar vendimin e gjykatës së Tiranës që ka njohur në krye të kësaj force politike Komisionin e Rithemelimit. Një deklaratë e cila nuk u prit mirë nga deputetët e grupit të Rithemelimit të cilët e kritikuan ambasadoren.