Vendosni fjalën kyçe....

Bashkia e Tiranës shtyn pagesat për taksat


Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot vendimin për shtyrjen e afatit të pagesës për tarifën e pastrimit, taksën e tabelës dhe taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore për në datën 20 maj 2022.

Gjithashtu dhe shtyrjen e afatit të pagesës së këstit të parë për taksat mbi pasurinë e paluajtshme, përkatësisht, taksa mbi ndërtesën, taksa mbi truallin dhe taksa mbi tokën bujqësore për në datën 20 maj 2022.

Këshilli miratoi dhe shtyrjen e afatit të pagesës së këstit të dytë për taksat mbi pasurinë e paluajtshme, përkatësisht, taksa mbi ndërtesën, taksa mbi truallin dhe taksa mbi tokën bujqësore për në datën 31 korrik 2022. Lajmin e mirë e dha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se ky është një lajm i mirëpritur për të gjitha bizneset.

Më duket diçka e arsyeshme, edhe për faktin se me kostot e rritura të disa shpenzimeve, siç mund të jetë nafta apo shpenzime të tjera, i jep biznesit një muaj frymëmarrje, për të mos i vënë nën presion për të kapur afatet. Besoj se është lajm i mirëpritur nga të gjithë”, deklaroi Veliaj.

Kjo nuk është nisma e vetme që ndërmerr Bashkia e Tiranës në ndihmë të bizneseve. Gjatë pandemisë, Bashkia u erdhi në ndihmë duke shtyrë një pjesë të pagesave ose duke u falur disa të tjerë për periudhën kur ato kanë qëndruar mbyllur.