Ish-kryeministri Sali Berisha në një dalje për mediet pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit, ka komentuar përsëri ambasadoren amerikane Yuri Kim të cilën e quan “guvernatore”.
Gazetarët u ndalën tek deklarata e djeshme Kim, që shkruante se kishte takuar Enkelejd Alibeajn si “kryetar i PD-së”, por Berisha tha se ky ishte vetëm një dështim i paralajmëruar i saj.
Berisha e ka akuzuar ambasadoren Kim se ka lënë mënjanë detyrën duke ndërhyrë në çështjet e brendshme të një force politike.
“Ishte një dështim i paralajmëruar. Siç e dini, Guvernatorja Kim ka lënë mënjanë rolin e ambasadores që në përputhje me Konventën e Vjenës nuk ka asnjë tagër të hyjë në jetën e brendshme të një force politike.
Shpreh kënaqësinë e madhe se çdo shqiptar e sheh dhe e ka të qartë se çfarë përpjekjesh, imagjinoni në çfarë gjendje ka qenë PD-ja, sikur të ishte seksioni i një ambasade, i një guvernatoreje, s’dua ta përdor termin ambasadë, ambasadat janë të respektuara.
Zonja në fjalë shkel çdo rregull. Preferon për shkaqe të terrenit që ka gjetur te Edi Rama dhe Lulzim Basha që të bëjë atë rol që i ka caktuar vetes.” – tha Berisha gjatë deklaratës për mediat.