Bordi i Transparencës ka vendosur të ulë sot çmimin e naftës dhe të benzinës.
Përmes një njoftimi për mediet, Bordi i Transparencës bën me dije se në mbledhjen e sotme ka vendosur që një litër naftë me pakicë të shitet 228 Lekë/litri nga 233 që ishte.
Ndërsa benzina do të shitet me 208 lekë për litër nga 209 që ishte.
Çmimi i gazit nga ana tjetër mbetet i pandryshuar dhe do vazhdojë të mbetet 115 Lekë /litri.
Operatorët e ndryshëm paralajmërohen se në rast se nuk do zbatojnë çmimet e vendosura, do përballen me pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.
NJOFTIMI I PLOTË
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 6 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, Bordi vendosi:
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 06.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
216 Lekë/litri për gazoilin;
196 Lekë/litri për benzinën;
103 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 06.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
228 Lekë/litri për gazoilin;
208 Lekë/litri për benzinën;
115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 06.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti, heqje licence dhe sekuestrim.