Vendosni fjalën kyçe....

Garantimi i kredive për importuesit: qeveria do të mbulojë 60% të shumës, marzhi i propozuar i interesit 3%


Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ka parashtruar këtë javë propozimet e veta për skemën e garancisë sovrane në mbështetje të bizneseve importuese të mallrave të konsumit.

Burime nga sektori bankar bëjnë të ditur se skema që propozon qeveria shqiptare është e ngjashme me linjën e dytë të garancisë sovrane, që u miratua pas pandemisë.

Qeveria do të marrë përsipër të garantojë 60% të shumë së kredisë, ndërsa pjesën tjetër të rrezikut duhet ta marrë vetë përsipër banka huadhënëse. Kreditë do të kenë formën e linjave të kapitalit qarkullues dhe kohëzgjatja maskimale do të jetë deri në një vit.

Për sa i takon çmimit, qeveria ka propozuar që kreditë e garantuara në kuadrin e kësaj skeme të kenë një marzh maksimal interesi prej 3% mbi normën e referencës, që mund të jenë Bonot e Thesarit apo Euribori (në rast se skema do të përfshijë edhe kredidhënie në euro). Propozimet e mësipërme iu janë dërguar bankave tregtare dhe pritet një përgjigje e tyre, për të vijuar më tej me miratimin e dokumentit zyrtar.

Skema e garancisë sovrane e përgatitur nga qeveria shqiptare do të ketë një vlerë limit prej tre miliardë lekësh dhe ka si qëllim lehtësimin e kredive për kapital qarkullues të bizneseve të importit të mallrave të konsumit.

Skema e garancisë sovrane është konceptuar si një instrument mbështetës, që bizneset të mund të përmbushin detyrimin e vendosur me aktin normativ të datës 30 mars, për krijimin e rezervave të mjaftueshme për të paktën tre muaj.

Me dy aktet normative të miratuar në muajin mars, qeveria vendosi për herë të parë në më shumë se 30 vjet ekonomi tregu të ndërhyjë në çmimet e shitjes së tregjeve të parregulluara, siç janë karburantet, apo produktet ushqimore të shportës bazë të konsumit. Instrumenti i ndërhyrjes janë bordet e posaçme të kontrollit të çmimeve, me pjesëmarrje mikse, por qartësisht të kontrolluara nga drejtues të institucioneve shtetërore.

Këto borde do të përcaktojnë në mënyrë periodike marzhet e fitimit dhe çmimet finale të shitjes me shumicë dhe pakicë për karburantet dhe për produkte të veçanta ushqimore. Përcaktimi i listës së produkteve ushqimore për të cilat çmimi do të kontrollohet do të jetë përsëri në kompetencë të Bordit të Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve. Kufizimi i lirisë së tregut është argumentuar nga qeveria me ekzistencën e një situate të veçantë, të lidhur me uljen drastike të ofertës dhe me shtrenjtimin e disa produkteve jetike të konsumit të gjerë.

Skema në fjalë do të jetë instrumenti i tretë i garancisë sovrane për të lehtësuar kredimarrjen e bizneseve në dy vitet e fundit. Dy skemat e para u miratuan menjëherë pas shpërthimit të pandemisë. Skema e parë prej 11 miliardë lekësh synonte ofrimin e mbështetjes për pagesën e rrogave të punonjësve, sidomos gjatë periudhës kur aktiviteti i biznesit u ndal prej masave kufizuese të vendosura nga qeveria shqiptare.

Skema e dytë prej 15 miliardë lekësh kishte si qëllim të mbështeste bizneset në rimëkëmbjen e aktivitetit nga pasojat e pandemisë. Kjo rezultoi më pak e suksesshme, sepse qeveria mori përsipër të garantonte vetëm 60% të kredisë, ndërsa pjesën tjetër të rrezikut duhet ta merrte përsipër vetë banka kredituese

. Këtyre iu shtuan edhe disa paqartësi fillestare lidhur me mënyrën sesi do të ndaheshin të ardhurat nga kolateralet apo garancitë, në rast se kredia dështonte. Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, në fund të vitit 2021 shuma e shfrytëzuar në fund të vitit 2021 ishte 8.1 miliardë lekë ose rreth 54% e fondit limit të vendosur në dispozicion nga qeveria shqiptare.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor