Komisioni Evropian ka rritur paralajmërimet ndaj Maltës për t’i dhënë fund skemës së saj të diskutueshme të “pasaportave të arta”.
Komisioni u kërkoi të gjitha vendeve anëtare të BE-së të “shfuqizojnë” programe të tilla të mërkurën, duke i kërcënuar se do t’i dërgojë në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së.
“Komisioni konsideron se dhënia e shtetësisë së BE-së në këmbim të pagesave ose investimeve të paracaktuara, pa ndonjë lidhje të vërtetë me shtetin anëtar në fjalë, është në kundërshtim me ligjin e BE-së. Skemat e shtetësisë së investitorëve minojnë thelbin e shtetësisë së BE-së dhe kanë implikime për Unionin në tërësi”, thuhet në një deklaratë.
Që nga viti 2014, shtetasit e huaj të pasur kanë qenë në gjendje të marrin rezidencën ose shtetësinë malteze në këmbim të investimit të rreth 1 milion euro në vend.
Skemat e ashtuquajtura “pasaportë të artë” në Bullgari, Maltë dhe Qipro janë kritikuar nga Brukseli për lidhje me korrupsionin dhe pastrimin e parave.