Vendosni fjalën kyçe....

“Kim më dërgoi një negociator në zyrë” – Ambasada Amerikane i përgjigjet Berishës: “Non gratat” nuk negociohen



Ambasada Amerikane ka reaguar lidhur me deklaratat që ish-kryeministri Sali Berisha bëri një ditë më parë, lidhur me një person që i kishte shkuar në zyrë në emër të ambasadores Yuri Kim duke i kërkuar të heqë dorë nga gara për PD-në.

Në një prononcim për televizionin “News 24”, Ambasada thotë se vendimet e shpalljes “non grata” për korrupsion madhor nuk mund të negociohen dhe rrjedhimisht nuk mund të ndryshohen.

“Pozicioni i SHBA në lidhjet me shpalljet “non grata” për korrupsion madhor mbetet i qartë dhe nuk mund të negociohet.”– thuhet në reagimin e ambasadës pas pyetjeve të dërguara nga ky televizion.

Kujtojmë se një ditë më parë ish-kryeministri Berisha tha se një person i dërguar nga ambasadorja Kim i kishte kërkuar atij që të hiqte dorë provizorisht nga gara për kryetarin e PD-së, e madje i kishte garantuar edhe largimin e Lulzim Bashës (lexo këtu).

Berisha theksoi se Kim i kishte propozuar të caktonte një njeri tjetër provizorisht dhe më pas të kandidonte vetë për drejtimin e PD-së.