Sindikata e furrxhinjëve të Libanit paralajmëroi për një krizë të bukës pasi disa mullinj gruri ndaluan punën për shkak të mungesës së fondeve.
Në një deklaratë, sindikata tha se furrat e bukës përballen me mungesë të miellit në disa zona të Libanit.
“Disa furra buke kanë ndaluar së prodhuari bukë, ndërsa të tjerat kanë sasi të kufizuara të miellit që mjaftojnë vetëm për një ditë”, shtoi ai.
Sindikata fajësoi Bankën Qendrore të Libanit për krizën.
“Banque du Liban po vonon me pagesën e dërgesave të grurit për arsye të panjohura”, thonë nga sindikata.
Nuk kishte asnjë koment nga Banka Qendrore në lidhje me këto pretendime.
Libanit i nevojiten rreth 40-50 mijë ton grurë për të plotësuar nevojat e tregut vendas. Ndërkohë, vendi importon rreth 60 për qind të nevojave të tij për grurë nga Ukraina dhe Rusia, përcjell AA.
Që nga fundi i vitit 2019, Libani është përballur me një krizë të rëndë ekonomike, duke përfshirë një zhvlerësim masiv të monedhës kombëtare, si dhe mungesa të produkteve, përfshirë karburantet dhe produktet mjekësore.
Monedha libaneze ka humbur 90 për qind të vlerës së saj, duke vështirësuar qasjen në mallrat bazë, përfshirë ushqimin, ujin, kujdesin shëndetësor dhe arsimin, ndërsa ndërprerjet e përhapura të energjisë elektrike janë të zakonshme për shkak të mungesës së karburantit.