Vendosni fjalën kyçe....

Meta pritet në takim nga kryeparlamentari i Bullgarisë


Gjatë vizitës së tij në Bullgari, presidenti Ilir Meta është pritur në një takim nga Kryetari i Parlamentit bullgar, Nikola Minchev.

Presidenca ka njoftuar se gjatë takimit, “Kreu i Shtetit shqiptar dhe Kryeparlamentari Minchev diskutuan mbi rëndësinë e forcimit të dialogut politik ndërparlamentar dhe fuqizimit të bashkërenditjes mes Grupeve të Miqësisë në konkretizimin e politikave dhe projekteve qeverisëse, si në rrafshin dypalësh, ashtu edhe në atë rajonal.” 

Gjatë fjalës së tij Meta theksoi se krijimi i një rrjeti dinamik ndërparlamentar mes Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për të mbështetur dhe jetësuar realizimin e Korridorit VIII, si një aks i rëndësishëm gjeostrategjik, do të ishte hapi i duhur në kohën e duhur.  

“Zhvillimet e reja e bëjnë edhe më të domosdoshëm dhe imediat rivitalizimin dhe përshpejtimin e Korridorit VIII, jo vetëm si një korridor zhvillimi midis Detit Adriatik dhe Detit të Zi, por edhe si një korridor sigurie.”– sipas Presidencës.

Ndaj sipas tij është i domosdoshëm bashkëpunimi i përhershëm edhe në nivel parlamentar.

“Bashkëpunimi ndërparlamentar ka një rol të pazëvendësueshëm, nxitës dhe jetësor në përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.”- u shpreh Meta.