Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, njëherazi i dërguari special i DASH-it për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka reaguar lidhur me përplasjet mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadores amerikane në vendin tonë, Yuri Kim.
I pyetur nga “Top Channel” lidhur me akuzat e Berishës ndaj ambasadores Kim, Escobar është përgjigjur përmes postës elektronike duke u shprehur se ndihet i tronditur nga sulmet ndaj ambasadores. Ai ka theksuar se Kim është përfaqësuesja personale e presidentit amerikan Joe Biden.
“Jam i tronditur nga sulmet ndaj ambasadores tonë të SHBA në Tiranë. Ne e dimë se ofensiva e këtyre sulmeve nuk përfaqëson popullin shqiptar. Ambasadorja Kim është përfaqësuese personale e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Siç edhe zëdhënësi Departamentit të Shtetit e bëri të qartë në Dhjetor ne presim prej saj të vazhduarit të shpjeguarit dhe zbatuarit të politikave të SHBA, përfshi ato të Presidentit Biden përfshi vendosmërinë që ne do të vendosim përpara përgjegjësisë ata që janq të përfshirë në korrupsion e minojnë demokracinë.”– tha Escobar.
Zyrtari i lartë amerikan thekson: “Pozicioni ynë në lidhje me të shpallurit NonGrata për korrupsion apo minojnë demokracinë është i qartë, i vendosu, i fortë dhe i pandryshuar”.
Ky reagim vjen pasi ish-kryeministri Berisha e ka akuzuar ambasadoren Kim se ka lënë mënjanë detyrën duke ndërhyrë në çështjet e brendshme të një force politike, më saktë të Partisë Demokratike.
Berisha ka deklaruar se një person i dërguar nga ambasadorja Kim i kishte kërkuar atij që të hiqte dorë provizorisht nga gara për kryetarin e PD-së, e madje i kishte garantuar edhe largimin e Lulzim Bashës (lexo këtu). Ai theksoi se Kim i kishte propozuar të caktonte një njeri tjetër provizorisht dhe më pas të kandidonte vetë për drejtimin e PD-së, por këto propozime i kishte refuzuar.