Qeveria ukrainase ka akuzuar Hungarinë se po ndihmon Rusinë të vazhdojë agresionin e saj kundër Ukrainës, ndërsa marrëdhënies mes dy vendeve sa vijnë e përkeqësohen.
Ministria e Punëve të Jashtme akuzoi gjithashtu Hungarinë për forcimin e “ndjenjës së mosndëshkimit” të Rusisë lidhur me krimet e dyshuara të luftës.
Oleg Nikolenko, zëdhënës i ministrisë së jashtme të Ukrainës, shkruan në Twitter se “ngurrimi i Hungarisë për të pranuar përgjegjësinë e Rusisë për mizoritë” gjithashtu i inkurajon ata të “kryejnë krime të reja”.
“Një propozim për të mbajtur bisedime paqeje në Budapest duket cinik. Nëse Hungaria dëshiron të ndihmojë, ajo duhet të ndalojë dëmtimin e unitetit të BE-së.”-thotë ai sipas BBC-së.
Kryeministri hungarez Victor Orban, i cili ka qenë prej kohësh një aleat i presidentit rus Vladimir Putin pavarësisht anëtarësimit të Hungarisë në NATO, u rizgjodh në detyrë në fillim të kësaj jave.
Hungaria është kundër sanksioneve të reja të vendosura tashmë ndaj Rusisë dhe ka refuzuar të furnizojë Ukrainën me armë. Të mërkurën, Orban i tha Putinit se Hungaria do të ishte e gatshme t’i paguante Rusisë në rubla për importet e gazit – një lëvizje që vendet e tjera evropiane e kanë përjashtuar.
Ministria e Jashtme e Ukrainës kritikoi gjithashtu këtë gatishmëri të deklaruar për të paguar në monedhën ruse, duke akuzuar Hungarinë për minimin e unitetit të BE-së.