Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti i BE-së voton për ndalimin total të energjisë ruse


Parlamenti Evropian miratoi këtë të enjte rezolutën përmes së cilës kërkohet “një embargo e menjëhershme e plotë ndaj importeve ruse të naftës, qymyrit, karburantit bërthamor dhe gazit”.

Po ashtu rezoluta kërkon që Rusia të shkëputet plotësisht nga rrjeti bankar SWIFT dhe të largohet nga organizatat ndërkombëtare.

Siç shkruan RT, rezoluta u miratua me 513 vota kundër 22 dhe 19 abstenime. Embargoja totale ndaj energjisë ruse që ajo kërkon shkon përtej planit ekzistues të BE-së për të reduktuar varësinë e saj nga gazi rus me dy të tretat para fundit të vitit dhe për të hequr gradualisht karburantet fosile ruse përpara vitit 2030.

Një embargo e tillë e plotë mund të ketë pasoja të rëndësishme për Evropën. Rusia furnizon rreth 40% të gazit të importuar të BE-së dhe 27% të naftës së saj. Disa vende janë edhe më të varura nga energjia ruse, me më shumë se gjysmën e gazit të Gjermanisë dhe një të tretën e naftës së saj që vjen nga Rusia.

Ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz ka shprehur rezervë ndaj kërkesës së presidentit rus Vladimir Putin për të paguar gazin rus me rubla, ministrja e Jashtme Annalena Baerbock ka paralajmëruar se ndërprerja e këtij burimi jetik energjie do të ndalonte ekonominë e Gjermanisë.

Rezoluta e së enjtes kërkon gjithashtu që Rusia të përjashtohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Interpoli, Organizata Botërore e Tregtisë, UNESCO dhe organizata të tjera ndërkombëtare, dhe që të gjitha bankat e vendit të hiqen nga rrjeti bankar SWIFT.

Përveç kësaj, kërkohet që dërgesat e armëve në Ukrainë “duhet të vazhdojnë dhe të shtohen”. Ndërsa vendet individuale brenda BE-së kanë dërguar armë për ushtrinë ukrainase, blloku në tërësi theu traditën në shkurt kur shefi i politikës së jashtme Josep Borrell njoftoi se do të dërgonte rreth gjysmë miliardë euro “ndihmë vdekjeprurëse” në Kiev.

Megjithëse rezoluta e së enjtes kaloi me mbështetje dërrmuese, pati disa mospajtime në parlament. Eurodeputetja irlandeze Clare Daly tha se si rezultat i sanksioneve të BE-së, “Rusia është e papërmbajtur, ndërsa qytetarët e BE-së përballen me inflacion katastrofik, kosto të larta të energjisë dhe një rënie historike të standardeve të jetesës”.