Qytetarët e Vlorës dhe përfaqësues nga shoqëria civile kanë dalë përsëri në protestë kundër projektit të sheshit të Flamurit, për ta kthyer këtë të fundit në një terminal autobusësh.
Sipas qytetarëve, projekti në sheshin e Flamurit tjetërson historinë.
“Është spostuar monumenti, i mungon ajo pista e bukur ku mbaheshin festat e fjalimet çdo vit. Këtu nuk do festohet më sepse nuk ka më Shesh Flamuri. Kjo është zhdukja e historisë së një kombi.”- tha një protestues.
Një tjetër u shpreh se sot në datën 7 prill që përkonte me pushtimin fashist, po protestonin për ta mbrojtur nga vetë shqiptarët.
“Kemi ardhur këtu që me shpresë të Zotit, të çlirojmë këtë shesh nga zaptimi. Sot është një ditë e zezë për Shqipërinë, 7 prilli i pushtimit fashist dhe pikërisht sot po vijmë të çlirojmë sheshin nga shqiptarët. Po luftojmë kundër njëri-tjetrit. Kur fyen sheshin e kombit, fyen të gjithë shqiptarinë.”- tha protestuesi.
Protestës së qytetarëve vlonjatë u janë bashkuar edhe qytetarë nga rrethe të tjera të Shqipërisë. Protestës i janë bashkuar edhe deputetët e opozitës, Bujar Leskaj dhe Fatjon Veizi. Ky është tubimi i dytë i zhvilluar për këtë projekt pas protestës të së dielës.