Vendet e Bashkimit Evropian duhet të përshpejtojnë negociatat për politikat e reja të ndryshimeve klimatike dhe gjithashtu të rrisin ambicien e këtyre propozimeve për të lënë sa më shpejt të jetë e mundur karburantet fosile ruse, thanë të enjten 11 vende.
Vendet e BE-së dhe Parlamenti Evropian po negociojnë një sërë masash të gjelbra këtë vit, duke përfshirë një rinovim të tregut të karbonit të BE-së, një ndalim në vitin 2035 për makinat e reja me motorë me djegie dhe objektiva më të larta për të zgjeruar energjinë e rinovueshme.
Propozimet janë krijuar për të ulur çlirimet neto të gazeve serrë të BE-së me 55% deri në vitin 2030 nga nivelet e vitit 1990. Por lidhjet e tyre me sigurinë energjetike janë vënë në qendër të vëmendjes ndërsa blloku kërkon t’i japë fund mbështetjes së tij te karburantet ruse deri në vitin 2027 – pjesërisht përmes energjisë së rinovueshme dhe kursimeve të energjisë – në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
“Tani është koha për të qenë të guximshëm dhe për të ecur përpara me vendosmëri me shndërrimin e gjelbër. Çdo vonesë apo ngurrim vetëm do zgjasë varësinë tonë nga energjia.” – thanë 11 vende të BE në një deklaratë të përbashkët, të parë nga Reuters dhe që do të publikohet të enjten. .
“Negociatat mbi paketën duhet të përshpejtohen dhe ambiciet duhet të rriten.” – thanë ata.
Deklarata u drejtua nga Danimarka dhe u nënshkrua nga Austria, Gjermania, Spanja, Finlanda, Irlanda, Luksemburgu, Letonia, Holanda, Suedia dhe Sllovenia.
Ministri danez i Klimës Dan Jorgensen tha se vendet po bënin thirrje për një ‘rrugë të gjelbër drejt pavarësisë energjetike të BE-së nga karburantet fosile ruse sa më shpejt të jetë e mundur’.
Jo të gjitha vendet janë dakord. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha të mërkurën se BE-ja duhet të pezullojë tregun e saj të karbonit, mjeti kryesor i bllokut për pakësimin e ndotjes, në përgjigje të çmimeve të larta të energjisë. Polonia ka thënë se negociatat për klimën duhet të ndërpriten për të vlerësuar ndikimin e luftës.
Rusia furnizon 40% të gazit të Evropës. Të 11 vendet thanë se plani për ta zëvendësuar atë me gaz jo-rus duhet të shmangë bllokimin e emetimeve dhe të sigurojë që BE të qëndrojë në rrugën e duhur për të eliminuar emetimet e saj neto deri në vitin 2050.
Brukseli pret që propozimet për klimën, nëse miratohen, të ulin përdorimin e gazit të BE-së me 30% deri në vitin 2030. Një zgjerim më i shpejtë i energjisë së rinovueshme dhe kursimeve të energjisë mund të ndihmojë gjithashtu në frenimin e faturave të energjisë, të cilat janë rritur mes çmimeve të larta të gazit në muajt e fundit.