Pavarësisht se skema mujore aktuale e bilancit të energjisë dekurajon investimet fotovoltaikë, në vitin 2021 shifrat treguan se kontributi i vetëprodhuesve është jo i vogël.
Me një stimul më të mirë nga ana e qeverisë për ta kthyer këtë bilanc në vjetor situata në treg mund të kishte një panoramë tjetër. Enti Rregullator i Energjisë raporton se 1/4 e sasisë së energjisë që vetëprodhuesit konsumuan në vitin e shkuar erdhi nga impiantet e tyre ndërsa pjesa tjetër nga Furnizuesi i Shërbimit Universal.
“Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se në total gjatë vitit 2021, Vetëprodhuesit kanë prodhuar nje sasi prej rreth 2,674,615 KW gjatë 8 mujorit të parë të 2021. Energjia që është furnizuar nga FSHU për këta vetëprodhues, për të njëjtën periudhë është në masën 7,738,233 KW.
Siç shihet, raporti i energjisë së prodhuar nga vetëprodhuesit është rreth 1/4 e totalit të energjisë që kanë marrë nga rrjeti për qëllime të furnizimit me energji elektrike.” – thuhet në raportin vjetor të ERE.
I njëjti zbardh se gjatë vitit 2021 ka pasur rreth 206 aplikime për ushtrimin e aktivitetit të vetëprodhuesit nga ana e konsumatorëve fundorë dhe 113 prej tyre u është miratuar aplikimi për ushtrimin e këtij aktiviteti dhe lidhjen me rrjetin nga ana e OSSH sh.a.
Sipas ERE aktualisht Durrësi Tirana dhe Elbasani rezultojnë se janë zonat në të cilat ka pasur më shumë njësi fotovoltaike për vetë prodhuesit të instaluara, lidhur kjo edhe me potencialin më të madh të këtyre zonave për të garantuar rendiment të njësive prodhuese fotovoltaike për shkak të numrit të ditëve me diell, të domosdoshme për këtë lloj teknologjie.
Vetë prodhuesit por edhe kompanitë që merren me shitjen e paneleve dhe instalimin e tyre kanë kërkuar vazhdimisht rishikimin e netimit duke e kthyer atë në vjetor çka do t’iu jepte atyre mundësinë që energjinë e prodhuar tepër të mund ta konsumonin kur të kishin nevojë përgjatë hakut vjetor të një viti.
Kjo skemë do ta bënte kthimin e investimit më të shpejtë. Me çmimet aktuale që energjia ka sot në tregje sigurisht që projektet e kësaj natyre mbeten fizibël./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor