Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi i përgjigjet Kushit: “Shihemi në Gjykatë!”


Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi i është përgjigjur deklaratës së ministres së Arsimit, Evis Kushi.

Në një reagim në rrjetet sociale, Vokshi thotë se në vend që të kërkojë ndjesë, ministrja zgjodhi që të mbrojë shkelësit dhe abuzuesit dhe jo mësuesit. Ajo thekson se e mirëpret padinë e Kushit dhe i thotë asaj se pret të shihen në Gjykatë.

“Në vend që të kërkojë ndjesë mësuesve e të marrë masat për këdo që ka nxjerrë tezat e provimit në emër të saj, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, merr në mbrojtje shkelësit e ligjit e më kërcënon me padi në gjykatë.

E mirëpres padinë e Ministres Kushi, do ishte e pesta në rradhë pas padive të Edi Ramës, Erjon Veliajt, Taulant Ballës…

Znj. Ministre, mësues të ndershëm, të cilëve ju dhimbset arsimi denoncuan një veprim skandaloz që duhej ndalur. Kishit rastin të distancoheshit nga ai, duke i kërkuar ndjesë cdo mësuesi që hyn në këtë provim e duke vënë para përgjegjësisë çdokënd që shkel ligjet, procedurat e rrjedhimisht edhe barazinë në një test të tillë të rëndësishëm duke favorizuar militantë partie, miq, patronazhistë etj etj.

Ju zgjodhët të mbronit shkelësit e abuzuesit e jo mësuesit.

Zgjodha të mos i publikoj tezat me shpresën e një reagimi ndryshe nga ana juaj.

Por tani jam e gatshme t’i dorëzoj ato në gjykatë.

Shihemi në gjykatë Evis Kushi.”- shkruan Vokshi.

Ky reagim i deputetes demokrate vjen pasi ministrja Kushi e kërcënoi se do e padiste atë në gjykatë. Kjo për shkak të akuzave të Vokshit se ministrja ka shpërndarë pyetjet e provimit për mësuesit që do të përzgjidhen si vëzhgues të provimeve të maturës, bashkë me përgjigjet. Kushi shprehej se nëse Vokshi arrin t’i provojë këto akuza, ajo është e gatshme që sot të japë dorëheqjen dhe e sfidoi demokraten të nxjerrë provat që ka kundër saj.