Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kritikon Ramën: Vendimi për legalizimin e kanabisit, akt shumë i pamenduar, dëmton integrimin në BE


Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për mediet, ku ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për vendimin e lajmëruar dje për legalizimin e kanabisit.

Sipas Berishës, me legalizimin e kanabisit dëmtohet procesi i integrimit të Shqipërisë në BE.

“Unë në formimin tim si mjek por edhe si politikan kam lexuar gjerësisht për kanabisin, jam plotësisht i vetëdijshëm se vaji i kësaj bime, apo nënprodukte të tjera përdoren për lehtësimin e disa rrethanave, ankthit, dhimbjeve dhe rrethanave të tjera.

NË këtë kontekst, të dhëna nga mjeku nuk kam ndonjë kundërshtim. Por studimet e gjera, të Universiteteve më prestigjioze të botës dhe të fundit kanë faktuar se kanabisi krijon probleme serioze strukturore dhe në procese të trurit.

Kanë faktuar se shumëfishon shfaqjen e formave të psikozave më të rënda, kanë faktuar se jep ndryshime strukturore të evidentuara në trurin e përdoruesve të saj, kanë faktuar se është i dëmshëm për sistemin e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut.

Kanabisi ka të paktën në përbërjen e saj mbi 50 lëndë kimike dhe për efektet e tyre anësore në tru nuk ka studime shteruese, nuk ekzistojnë. Këto janë aspektet mbi shëndetin fizik dhe mendor, por të legalizosh kanabisin në Shqipëri, vend i etiketuar siç e dini ju në mediet botërore si ‘Kolumbi e Evropës’ apo ‘Kanabistan’ do të thotë të shkelmosh reputacionin e këtij vendi dhe ta bësh kanabisin simbol të Shqipërisë, e cila gjendet në biodiversitetin e saj në speciet e bimëve aromatike. Ka bimë dhjetëra herë më të kushtueshme se kanabisi mbi të cilat mund të ngrihet një industri e fuqishme kozmetike, parfumesh, kremash e të tjerë. Dhe Edi Rama për shkaqe personale, zgjedh kanabisin për ta bërë simbol të shqiptarëve.

Vendimi i tij, është një akt shumë i pamenduar, që dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Edi Rama shfrytëzon një rrymë pozitive, që është krijuar për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Por ky është një kalkulim shumë i gabuar, sepse për Evropën, fqinjët tanë dhe Shqipërinë, kanabisi shqiptarë është krim. Është trafik kriminal. Është organizata kriminale… pikërisht në një moment kur po krijohej një klimë pozitive për hapjen e negociatave reale për mendimin tim. Por mesazhi që dërgon ky është se po legalizoj anabisin, paçka se vetëm Italia mund të shpenzojë qindra ose miliarda Euro që të mbrojë vendin e vet. Italia e pati hequr kontrollin në kufirin e saj në raport me Shqipërinë, sepse kishin rënë flukset. Një sasi jo e madhe kanabisi, kurse sot që kanabisi legalizohet, ju e kuptoni vetë se çfarë do të thotë kjo. De fakto licencë për çdo familje shqiptare që lakmohet për kultivimin e kanabisit. Kjo do masivizojë totalisht dhe një ditë kur të shihni plantacionet e vreshtave, ullinjve, tu vihet zjarr e të mbillet kanabisi, siç kanë filluar të djegin pyjet.

Ky vendim e bën Shqipërinë një vend problematik shumë për sigurinë e rajonit dhe shton një burim potencial investimi të organizatave kriminale dhe financimi të grupeve terroriste.

Për të gjitha këto, unë u bëj thirrje shqiptarëve të kundërshtojnë dhe të mos mbështesin një politikë shkatërrimtare. Me legalizimin e kanabisit hiqet çedo barrikadë që ekziston për atë sindromë të rrezikshme. Do shohim dëbim masiv të të rinjve dhe popullatës. Një bimë analoge e tillë u legalizua në Jemen. Çfarë pësoi Jemeni do thoni ju? Një shkatërrim të plantacioneve të kafesë dhe mbjelljen e një bime të ngjashme me kanabisin.

Ideja për të krijuar para është një shërbim që Edi Rama ua bën organizatave kriminale, për legalizimin e tonelatave të parave të trafiqeve kriminale. Është pra një kërcënim serioz i madh për Shqipërinë. U bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë të ngrenë zërin e tyre, për sigurinë e tyre.”- tha Berisha.