Ish-kryeministri Sali Berisha doli pasditen e sotme në një deklaratë për mediet, ku ngriti shqetësimet dhe pikëpyetjet e tij për tre cështje: legalizimin e kanabisit, arrestimin e Alqi Bllakos për aferën e inceneratorëve si dhe dënimin me burg të muzikantit Bojken Lako.
Më pas i pyetur nga gazetarët, ai disktutoi dhe çështje të tjera, duke nisur nga komenti i zyrtarit të lartë amerikan Gabriel Escobar për përplasjet e tij me ambasadoren Yuri Kim, tek mënyra si do drejtohet Partia Demokratike, nisma e Ramës për Këshillimin Kombëtar dhe çështje të tjera.
Legalizimi i Kanabisit
Berisha ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për vendimin e lajmëruar dje për legalizimin e kanabisit.
Sipas tij, me legalizimin e kanabisit dëmtohet procesi i integrimit të Shqipërisë në BE.
“Vendimi i tij, është një akt shumë i pamenduar, që dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Edi Rama shfrytëzon një rrymë pozitive, që është krijuar për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Por ky është një kalkulim shumë i gabuar, sepse për Evropën, fqinjët tanë dhe Shqipërinë, kanabisi shqiptar është krim. Është trafik kriminal. Është organizata kriminale… pikërisht në një moment kur po krijohej një klimë pozitive për hapjen e negociatave reale për mendimin tim.”- tha Berisha.
Ai u shpreh: “Mos u habisni një ditë kur të shihni plantacionet e vreshtave, ullinjve, tu vihet zjarr e të mbillet kanabisi, siç kanë filluar të djegin pyjet.”
Sipas Berishës, ideja për të krijuar para është një shërbim që Rama ua bën organizatave kriminale, për legalizimin e parave të trafiqeve kriminale.
“Zhdukja” e Alqi Bllakos për 13 orë dhe pyetja për Gledis Nanon
Berisha ka sulmuar Policinë e Shtetit lidhur me arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako. Ai u shpreh se zhdukja e Bllakos për rreth 13-orë dëshmon lidhjen e policisë me “bandën” e inceneratorëve. Po ashtu Berisha ngre pyetje se kush e urdhëroi drejtorin e Policisë, Gledis Nanon të mashtronte lidhur me zhdukjen e Bllakos.
“Bllakua na zhduket. Njeriu që tha nuk kam imunitet na zhduket për 13-orë. Zërat thonë se u arratis nga Qafë Bota në Greqi, nuk e di nuk kam asnjë fakt. Thonë që u kthye me helikopter. Por problemi është se policia mori anën e Alqi Bllakos. Ajo mori përsipër në modelin e mëparshëm të gënjejë opinionin dhe organet e ligjzbatimit dhe të shprehet se Alqi Bllako ishte në Drejtorinë e Policisë. Por ‘mbrëmë’ dhe ‘mëngjesi’ janë të ndyshme. Kush e urdhëroi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Nano të mashtrojë qytetarët shqiptar? Ishte ky një vullnet i tij i sëmurë apo e urdhëroi Çuçi?”– u shpreh Berisha. Ai shtoi se të njëjtat zëra thonë që njeriu i fundit që ka takuar Bllako në Tiranë është vetë Rama në një nga vilat qeveritare, para arrestimit apo vetëdorëzimit të tij.
Dënimi i Bojken Lakos se “nuk i thuri Ramës këngë”
Një tjetër çështje që Berisha ngriti gjatë fjalimit të tij është dënimi i këngëtarit Bojken Lako për ndërtim pa leje.
Ai tha se ky vendim nga gjykata ishte një formë hakmarrje nga kryeministri Edi Rama për këngëtarin, që s’kishte pranuar t’i thurte këngë.
“Çështja e tretë që desha të sjell, është dënimi me 3 vjet burg i këngëtarit të mirënjohur shqiptar, Bojken Lako. Një akt i pashembullt, i paprecedente, një urrejtje e neveritshme e sëmurë e Edi Ramës, ndaj një njeriu, një këngëtari të mirënjohur, i cili nuk pranoi ndonjëherë t’i thur këngë brendit të Milva Konomit, Skënvervuçit të Spiropalit, pothuaj Zuesit të Bilalit.
Një artist i shquar dhe me kontribut, gjetën që ta dënojnë 3 vite burg se ka hapur një dritare pa leje në një kohë kur ndërtohen kate mbi kate dhe me gjoba dhe pa leje.
Duke shprehur solidaritetin tim të plotë për Bojken Lakon, dënoj me ashpërsi të madhe këtë shndërrim të sistemit të drejtësisë në degë të ekzekutivit, dëshmi hakmarrëse të Edi Ramës ndaj një zëri aq të dashur me këngët dhe muzikën shqiptare siç është Bojken Lako.”- tha Berisha.
Përgjigja për komentin e Gabriel Escobar
Pas fjalimit të tij, ish-kryeministri u pyet nga gazetarët në lidhje me komentin e zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar i cili shprehej se ndihej i tronditur ndaj sulmeve që i bëhen ambasadores Yuri Kim.
Berisha u përgjigj se ai kishte respekt maksimal për ambasadoren Kim kur ajo vepronte në përputhje me detyrën e saj, por kur ajo sillej si guvernatore nuk mund të pajtohej.
“Tani pyetja del tërësisht jashtë kontekstit të bisedës, por unë ju garantoj ju se e kam shumë të qartë dhe kam respektin më të madh kur ajo vepron në përputhje me përfaqësimin e presidentit Joe Biden, sikundër nuk mund të pajtohem kurrë me veprimet e saj kur ajo vepron si guvernatore dhe sa herë, cilido të veprojë si guvernator dhe në kundërshtim me Konventës e Vienës unë do ta kundërshtoj e do ta denoncoj.”- tha Berisha.
Si do drejtohet PD-ja pas 30 Prillit?
Berisha ka deklaruar se pas mbajtjes së Kuvendit të 30 Prillit, kryesia e PD-së do të drejtojë këtë parti deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Në konferencën për mediet, Berisha theksoi se zgjedhja e kryetarit do të bëhet në një kohë të mëvonshme, por jo shumë të largët.
“Nuk besoj se do vazhdoj me Komisionin e Rithemelimit, por do zgjidhet Këshilli Kombëtar, i cili do zgjedh Kryesinë. Do të jetë Kryesia ajo që më pas do të drejtojë deri në zgjedhjen e kryetarit.
Kryetari do zgjidhet fill mbrapa, nuk do jetë kohë e vonshme, por do zgjidhet Kryesia më përpara.”- u shpreh ish-kryeministri.
“Rama përdori INSTAT-in pa autorizimin e parlamentit”
I pyetur në lidhje me procesin e Këshillimit Kombëtar, Berisha akuzoi Ramën se përdori INSTAT-in pa autorizimin e parlamentit.
“Është procesi më qesharak, më anti-ligjor që ka ndodhur ndonjëherë. Unë e denoncova dhe në Parlament se agjensia e këshillimit në mënyrë të kundraligjshme tërësisht por dhe shkatërruese, ka angazhuar pa autorizim të parlamentit Instatin. INSTAT varet nga parlamenti, nuk prodhon statistika për asnjë të tretë. Ka përpunuar statistika të qeverisë shqiptare. Në Shqipëri statistikat i prodhojnë Ministria e Financave, Banka e Shtetit dhe INSTAT.”- u shpreh ai.
Për Ramën: Emri im ka filluar t’i kallë datën
Berisha po ashtu ironizoi Ramën me gazetarët, duke i këshilluar këta të fundit që duhet të mbajnë parasysh të mos e pyesin kryeministrin për Inceneratorët pasi ai ngrihet dhe del nga studioja apo nga konferenca.
Berisha u shpreh se emri i tij ka filluar t’i kallë datën Ramës.
“Edi Rama mund ta zgjedhë presidentin me votat e tij edhe pse zgjedhjet i plaçkiti. Mos harroni dhe asnjëherë të mos e pyesni për Inceneratorët se do vrapojë do dalë jashtë, do ju lërë me duar bosh. Keni edhe ju ndjenja njerëzore ndaj tij. E patë mbrëmë ju atë. Del qartë se nëse ju e pyesni për Inceneratorët është njësoj si të tregoni litarin në shtëpinë e të varurit.
Vendosni një kod për këtë dhe mundësisht sa më pak t’i përmendni emrin tim. Sepse e patë mbrëmë dhe e shikoni çdo ditë si ky emër ka filluar t’i kallë datën. Do ketë probleme shumë serioze me Partinë Demokratike. Këto dy gjëra nëse doni të mos ikë nga konferencat e shtypit mos e pyesni. Arrest informativ. Ju përjashton 60 ditë.”– tha Berisha.